Drejtësia

Stoku i dosjeve në drejtësi, KLGJ kërkon burime njerëzore dhe financiare: Kemi mungesë gjyqtarësh

Gazeta Si – Për të ulur stokun e dosjeve të pashqyrtuara në drejtësi, KLGJ i ka kërkuar qeverisë dhe Parlamentit shtimin e burimeve njerëzore dhe financiare për të plotësuar mungesën e gjyqtarëve.

Kryetarja e Këshillit të Lartë Gjyqësor, Naureda Llagami së bashku me anëtarët e tjerë të KLGJ-së kanë raportuar këtë të premte në Komisionin e Ligjeve në Kuvend në lidhje me veprimtarinë e institucionit të drejtësisë dhe sistemit gjyqësor gjatë vitit 2023.

Gjatë fjalës së saj, Llagami është shprehur se po punohet me 60% më pak të gjyqtarëve se kapacitetet e duhura, teksa shton se po punohet me ritme mjaft të shpejta edhe pse me mungesa.

Ajo kërkoi mbështetjen e qeverisë dhe Parlamentit për të dalë nga ngërçi i stokut të madh të dosjeve që presin radhën për t’u gjykuar.

“Backlog-u është çështje kombëtare”, tha Llagami teksa raportonte para Komisionit të Ligjeve. Sipas saj, sistemi gjyqësor ka nevojë për burime njerëzore dhe para.

“Nëse nuk i kemi këto, mos pretendoni se gjykatat do të shkojë në uljen e backlog-ut. Nëse ju nuk na mbështesni, nëse ne nuk do të jemi bashkë në këtë sfidë të re… Duhet të jemi të gjithë bashkë për ta luftuar. Nëse nuk kemi mbështetjen e ekzekutivit dhe Kuvendit, nuk mund të kalojë”.

Llagami tha gjithashtu se Gjykata e Apelit të Përgjithshëm sot nuk ka salla gjyqi. “Kemi dy vjet që kërkojmë. E njëjta gjë vlen edhe për gjykatat e tjera në nevojë”, shtoi ajo. Më tej, Llagami ka deklaruar se problematike është Gjykata e Tiranës për çështjet civile dhe ajo e Apelit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë