Nga Gazeta ‘Si’-Opozita do t’i qendrojë vendimit për të mos marrë pjesë në Komisionin e Posaçëm Parlamentar, të ngritur me nismën e PS. Për nënkryetarin e PD së Rithemelimit, Oerd Bylykbashi, komisioni nuk ka në fokus reformat për mirëqeverisjen, antikorrupsionin apo sundimin e ligjit, por një model të fshehtë bashkëqeverisje.
“Rama po përpiqet të zhdukë, të zhbëjë konceptin e rotacionit politik me votë dhe do që ta zëvendësojë me rotacion ministerial. Ai kërkon të bëjë bashkë maxhorancë-opozitë, duke zëvendësuar rotacionin nga ai me votë, në rotacion ministrash, ku vendos kryeministri Rama dhe, ndonjëherë, fut edhe ndonjë ministër nga krahu i opozitës”- u shpreh zoti Bylykbashi në një intervistë për Gazetasi.al.
Ka vetëm një rrethanë që mund ta bëjë opozitën pjesëmarrëse në komisionin e posaçëm dhe ajo ka të bëjë me një reformë tjetër, që po diskutohet në një tryezë paralele, reformën zgjedhore. “Kërkojmë koalicionet e përbëra, siç ishin para ndryshimeve të njëanshme 2020, nuk i japin. Atëherë përse duhet të diskutojmë bashkë për çështje të tjera?”- tha nënkryetari demokrat Oerd Bylykbashi në intervistën për Gazetasi.al.
Gazeta Si: Ju jeni ndër kundërshtarët më të zëshëm të opozitës të komisionit të posaçëm parlamentar, të krijuar nga PS. Pse keni marrë këtë pozicion, ndërkohë që merrni pjeëë në Grupin e Dialogut, një strukturë politike brenda parlamentit, ku bisedoni me PS?
Oerd Bylykbashi: Në demokraci, ndarja e pushteteve përfshin dhe ndarjen maxhorancë-opozitë. Kjo është pjesa që prodhon rotacionin politik. Është pjesa që mban ujin në lëvizje, të mos qelbet. Është arsyeja pse zgjedhjet duhet të jenë kompetitive. Me një aktor të vetëm, nuk ka kompetecion dhe arsyeja pse unë e kundërshtoj këtë hiperkomision parlamentar është se synon të zhdukë ndarjen e pushteteve, ndër to edhe maxhorancë-opozitë, t’i bëjë bashkë, duke zëvendësuar rotacionin nga ai me votë, në rotacion ministrash, ku vendos kryeministri Rama dhe, ndonjëherë, fut edhe ndonjë ministër nga krahu i opozitës. Pra, unë nuk kundërshtoj komisionin si koncept, por përpjekjen e Ramës për të zhdukur, për të zhbërë konceptin e rotacionit politik me votë dhe për të zëvendësuar atë me rotacion ministerial. Ta vendosë në nivelin e një republike presidenciale, ku presidenti ndërron ministrat dhe kryeministrat dhe vazhdon të mbajë pushtetin. Është versioni Erdogan, Putin, modele që Rama i ndjek dhe ka të njëjtën qasje. Kjo është e pashëndetshme dhe, mbi të gjitha, është në dëm të shqiptarëve.
Gazeta Si: Ka ndonjë rrethanë, në të cilën opozita do të merrte pjesë në këtë komision, duke qenë se vota juaj nuk është kundër, por vetëm abstenim?
Oerd Bylykbashi: Çështja duhet të shtrohet ndryshe. Unë nuk shoh asnjë arsye pse qeveria duhet të ecë përpara me këto gjoja reformat e saj dhe të kërkojë votën e opozitës, kur nuk lëshon elementë thelbësorë, siç është barazia dhe drejtësia e votës. Kërkojmë koalicionet e përbëra, siç ishin para ndryshimeve të njëanshme të vitit 2020, ata nuk i japin. Atëherë përse duhet të diskutojmë bashkë për çështje të tjera? Këto historitë që duhet të ulemi dhe të bëjmë dialog për të rënë dakord që ne nuk biem dakord, janë histori karagjoze, në të cilat opozita nuk ka pse të përfshihet. Ne nuk merremi me këtë. Ne merremi me organizimin e opozitës në të gjitha format e mundshme për të rrëzuar Edi Ramën. Sepse ne jemi përpara një situate ku Rama po imponon dhunshëm zhbërjen e ndarjes së pushteteve, duke nisur nga ndarja maxhorancë- opozitë dhe më pas ndarja e pushteteve të tjera, parlamentin e ka, qeverinë e ka, gjyqësorin e përdor kur i duhet. Shikoni rastin e Sali Berishës. Ka vendosur ta zhdukë nga jeta politike. Po bën çdo gjë të zhdukë PD-në. Jemi 3 vite pas Kuvendit të Jashtëzakonshëm të PD dhe akoma diskutohet vula, logo etj.
Gazeta Si: A ka ndonjë progres për çështjen e reformës zgjedhore në Grupin e Dialogut?
Oerd Bylykbashi: Grupi i Dialogut është vetëm një instrument. Ajo që është më shqetësuese është se ka njerëz që duan dështimin e reformës zgjedhore. Dhe i pari është Edi Rama, kur tha shumë qartë se mund të qendrojmë me këtë ligj që kemi dhe se do të peshkonte vota në seancë plenare për variantin e tij. Një qendrim i tillë është minues për çdo reformë konsensuale. Megjithatë, nuk do ta quaja të dështuar si proces Grupin e Dialogut. Situata është në impas, por nuk është hera e parë që ka patur impase dhe më pas është zhbllokuar. Kemi ende kohë.
Gazeta Si: PS nuk e pranon kërkesën tuaj kryesore për rikthimin e koalicioneve. Mund të quhet e tejkaluar kjo dhe të vazhdoni me çështjet e tjera, psh vota e emigrantëve?
Oerd Bylykbashi: Për ne kjo çështje është pikë themelore. Ndryshimi i dhunshëm, i njëanshëm nga Edi Rama në shkelje të marrëveshjes së 5 qershorit 2020 kishte një pikë që thoshte se palët nuk ranë dakord për ndryshimin e sistemit zgjedhor. Por ai bëri, duke përfituar nga mungesa e PD në parlament, në thyerje gjigande të besimit dhe të standardeve. Për më tepër, ai e ndryshoi ligjin për koalicionet pa patur asnjë rekomandim nga OSBE/ODIHR. Sot ata thonë se nuk merren me këtë çështje se nuk ka rekomandim nga ODIHR. Por as në 2020-ën nuk kishte, madje kishte një marrëveshje për të mos e ndryshuar sistemin. Ne as që e çojmë nëpër mend që, meqë Edi Rama ka thënë se çështja e koalicioneve është histori e mbyllur, ne ta pranojmë këtë. Jo! Për ne kjo është çështja e parë, të tjerat vijnë pas. Nuk ka asnjë arsye që opozita të jetë e përfshirë në procese të tjera, sa kohë çështja e saj themelore nuk është zgjidhur. Kjo çështje qendron në tryezë dhe nuk hiqet. Asnjë ndryshim tjetër nuk ka më shumë rëndësi sesa ky.
Gazeta Si: Ju vazhdoni të jeni të ndarë edhe për mekanizmin që do të lejonte emigrantët të votijnë në 2025-ën. Ku ndryshon propozimi i PS me atë të PD?
Oerd Bylykbashi: Sipas informacioneve të mbledhura nga disa burime, sepse INSTAT po e fsheh akoma numrin e shqiptarëve, ne kemi 1.8-2 milionë shtetas shqiptarë me të drejtë vote që jetojnë jashtë. Nga këta, janë të rregjistruar 18 mijë persona në Ministrinë e Brendahme, përmes e-Albania. Po të pranojmë ketë variant të PS, ne lejojmë të votojnë vetëm 1% e emigrantëve që janë filtruar nga sistemi i patronazhimit të PS. Gjëja tjetër që kërkon PS është detyrimi i emigrantëve për të patur një rezidencë të ligjshme, por ne e dimë shumë mirë që një pjesë e mirë e tyre nuk kanë një të tillë. Pra, ndërkohë që PS thotë se një emigrant duhet të rregjistrohet në e-Albania, të deklarojë rezidencën, pastaj të rregjistrohet në KQZ, PD thotë që procesi të kryhet me një hap të vetëm, drejtpërdrejt në KQZ, që thotë se nuk i duhet domosdoshmërisht adresa e ligjshme atje. Mjafton një e dhënë e sugurtë që ky person është jashtë Shqipërisë.
Me këtë mekanizëm të thjeshtë, ne i hapim të drejtën e votës të gjithë shqiptarëve që jetojnë jashtë, jo vetëm 18 mijë personave që ka filtruar PS. Me këtë mekanizëm, është menduar dhe shmangia e votimit të dyfishtë. Shtetasi shqiptar ka një detyrim, të deklarojë veten që është jashtë vendit, në mënyrë të vërtetë, në të kundërt ka penalitete. KQZ thotë se e merr përsipër këtë pjesë. Ne marrim përsipër të pranojmë që kushdo që deklarohet jashtë, të hiqet nga qendra e votimit në Shqipëri. Kjo pastron listën. Në momentin që hapet diapazoni për këdo, PS nuk kontrollojnë dot më votën. Gjykoj që zgjedhësit që jetojnë jashtë janë baseni më i madh i votave të lira të shqiptarëve, por jo votave të lira, përsa i përket pagesës, votave të lira, të pandikuara nga pushteti.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)


