Lajme

Vrasja e shqiptarit në Korfuz, deputetja e ‘Syriza’-s: Krim racist!

Vrasja me natyrë raciste e 63-vjeçarit shqiptar Petrit Zilfe në Korfuz nga një anëtar i Agimit të Artë është dënuar nga Partia SYRIZA.

Zëdhënësja e grupit parlamentar të kësaj force politike dhe deputetja e Korfuzit, Fotini Vaki, ka deklaruar se ngjarja është tronditëse, duke pranuar se është një ekzekutim me karakkter racist.

“Është padyshim një krim me një karakter shumë të theksuar racist”, tha deputetja në radion e Agjencisë Zyrtare te Lajmeve ANA-MPA.

Ajo shtoi se emigranti shqiptar u bë “kokë turku” për axhendën e nazistëve, sepse rasti ishte një mosmarrëveshje verbale në një kafene për çështjen e Maqedonisë.

“Një tjetër emigrant bëhet viktimë e racizmit. Një klimë e tillë shkaktoi incidente raciste dhe ksenofobe, ku koka turku u bënë emigrantët. Fatkeqësisht aty u krijuan temperaturat e duhura për të ngrohur dhe lindur vezët e gjarprit, u gjet vend i përshtatshëm që të shfaqeshin trashëgimtarët ideologjikë të nazizmit, sepse autori ishte përfaqësues zgjedhor i Agimit të Artë në zgjedhjet e fundit”, shtoi më tej Vaki.

Ndërkohë, zëdhënësja e Grupit të SYRIZA-s u ka bërë thirrje të gjitha partive të izolojnë fashizmin dhe jo thjesht të dënojnë dhunën pasi përndryshe do të këtë edhe viktima të tjera në të ardhmen.

Ngjarja ka tronditur fshatin Lefkimi, ku i moshuari nga Berati jetonte dhe punonte prej mëse 20 vitesh, ndërsa thirrjet për dënim makisimal të autorit kanë ardhur nga politikanë të të dy vendeve.

Sipas autoriteteve greke, Zifle ishte konfliktuar verbalisht me autorin për një debat mbi të huajt në Greqi dhe më pas ai e kishte kërcënuar se po ta shikonte në rrugë do ta eliminonte fizikisht. Autori, një 44-vjeçar është arrestuar nga policia greke dhe tashmë do të përballet me akuzën e vrasjes me paramendim.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë