Nga Gazeta Si- Rreth 28 mijë maturantë në të gjithë Shqipërinë nisin sot provimet e Maturës Shtetërore.
Provimet nisin me Gjuhën e huaj, ndërsa më 10 qershor zhvillohet provimi i Gjuhës Shqipe dhe Letërsisë dhe më 18 qershor provimi i matematikës. Gjatë një takimi që zhvilloi dje me monitoruesit që do të ndjekin nga afër provimet e maturës, Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu kërkoi zbatimin me përpikëri të rregullores së Maturës Shtetërore.
“Kemi një rregullore që duhet zbatuar nga të gjithë, që nga shkollat e deri në nivel kombëtar. Shpresoj të mos kemi parregullsi, por nuk do të ketë asnjë tolerancë për rastet që shkelin rregulloren. Nxënësit duhet të jenë të qetë dhe të sigurt gjatë këtij procesi provimesh,” u shpreh Manastirliu.
Gjatë viteve të fundit, në çdo provim të maturës gjendet mënyra se si maturantët te futen në ambientet e provimit bashkë me telefonin e tyre, kur procedura tregon që maturantët duhet të kontrollohen në hyrje dhe gjatë zhvillimit të provimeve duhet të ketë bllokues valësh për të eliminuar komunikimin e tyre me anë të pajisjeve elektronike.
Siç ndodh prej vitesh, nuk ka munguar as këtë herë shpërndarja e tezave të provimit të maturës 30 minuta pas fillimit të provimit, ku janë publikuar teza A dhe B e Anglishtes.
Edhe pse Ministrja e Arsimit Ogerta Manastirliu ka bërë thirrje ditën e djeshme që të zbatohen rregulloret, maturantët kanë ndjekur shembullin e paraardhësve, duke shpërndarë tezat në rrjetin social Instagram.
Në të gjithë Shqipërinë janë 144 qendra ku do të zhvillohen Provimet e Maturës. Do të angazhohen rreth 2900 mësues dhe punonjës të arsimit që do të jenë përgjegjës për mbarëvajtjen e provimit në çdo qendër provimi nga veriu në jug. Do të jenë 1900 administratorë provimi që monitorojnë grupe prej 15-20 nxënësish, 200 përgjegjës të administrimit, 250 administratorë të sekretimit, 290 përgjegjës për strukturat shkollore dhe mësues ndihmës për mbështetjen e nxënësve me aftësi të veçanta.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.