Bota

Hamasi reagon për planin e paqes të njoftuar nga Biden, e shikon hap pozitiv

“Hamasi e sheh pozitivisht” planin drejt një armëpushimi të shpallur nga presidenti amerikan Joe Biden, pas gati tetë muajsh luftë në Gaza.

“Hamasi e sheh pozitivisht përmbajtjen e fjalimit të Bidenit të premten lidhur me një armëpushim të përhershëm, tërheqjen e forcave izraelite nga Gaza, rindërtimin dhe shkëmbimin e të burgosurve”, tha lëvizja islamike palestineze në një deklaratë.

Biden po i bën presion grupit islamik që të pranojë “udhërrëfyesin” e propozuar nga Izraeli për të ndaluar konfliktin në Gaza dhe për të lejuar lirimin e pengjeve.

Në një fjalim në Shtëpinë e Bardhë, presidenti amerikan tha se “është koha që kjo luftë të përfundojë”.

Shteti hebre i ka propozuar Hamasit një udhërrëfyes për një armëpushim. Propozimi i bërë publik nga Biden përbëhet nga tre faza: e para do të ishte një armëpushim që zgjat gjashtë javë. Në fazën e dytë, Hamasi dhe Izraeli do të negociojnë kushtet e përfundimit të përhershëm të armiqësive. Faza e tretë do të përfshijë një plan të madh rindërtimi për Gazën.

Marrëveshja sipas Biden hedh themelet për një zgjidhje politike që ofron një të ardhme më të mirë për izraelitët dhe palestinezët.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë