Policia e Tiranës ka vënë në pranga, djalin e ‘gjeneralit të bandës famëkeqe në Tiranë’, Nehat Kullës.
I biri i Nehat Kullës, Robert Kulla është arrestuar për dhunë në familje. Sipas policisë dyshohet se 43-vjeçari ka ushtruar dhunë psikologjike ndaj njerkës së tij, e cila është e pajisur me urdhër mbrojtje dhe me vetëgjyqësi i ka thyer çelësin e bravës. Sipas policisë rasti është i përsëritur.
Sipas policisë shkak është bërë konflikti për vilën. Të dy kanë certifikatë pronësia dhe akuzojnë njëri-tjetrin për falsifikim.
Djali i Nehat Kullës akuzohet për tre vepra penale.
‘Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 4 arrestuan shtetasin R. K., 43 vjeç, banues në Tiranë, për veprat penale “Dhuna në familje”, “Vetëgjyqësia”, dhe “Veprime në kundërshtim me vendimin e gjykatës”. Ky shtetas dyshohet se ka ushtruar dhunë psikologjike ndaj bashkëshortes së babait të tij, e cila është e pajisur me urdhër mbrojtje dhe me vetëgjyqësi i ka thyer çelësin e bravës.’- njofton policia.
Robert Kulla nuk është një emër i panjohur për policinë e Tiranës. Ai është arrestuar në shtator të 2016 si autor i dyshuar i vjedhjes në një banke të nivelit të dytë në zonën e ish-Bllokut në Tiranë, më 9 gusht të 2016. Në shtëpinë e Kullës policia gjeti disa mijëra euro të cilat dyshoheshin se ishin grabitur në bankën e nivelit të dytë. Por prokuroria gjatë kësaj kohe nuk arriti të vërtetojë se paratë ishin të bankës dhe për këtë arsye kërkoi lirimin e tij disa ditë pas arrestimit.
Nehat Kulla, i njohur si “gjenerali”, një nga krerët e bandave në vitin 1997, ndërroi jetë në moshën 67-vjeçare në 16 qershor 2020 për shkak të Covid. Banda e Nehat Kullës u krijua gjatë trazirave të vitit 1997 në Shqipëri dhe veproi në fshatin Tufinë në Tiranë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




