Nga Gazeta Si - Kënga zyrtare që do shoqërojë Shqipërinë në Euro2024 nuk ka ‘miratimin’ e më të rëndësishmëve, sic janë tifozët kuqezi, të cilët kryesisht e cilësojnë si komerciale, e papërshtatshme për futbollin dhe këngë që nuk të ngre peshë.
Në një vëzhgim të Gazetasi.al në komentet që tifozët kanë lënë në rrjetin social Facebook të Federatës Shqiptare të futbollit dhe në kanalin zyrtar të këngëtarit Capital T, shfaqet pakënaqësia e qytetarëve, duke nisur nga kënga, këngëtari dhe deri tek lidhja me patriotizmin.
“Veç me futbollin dhe kombëtaren s’ka lidhje kjo këngë”, është një nga komentet, që paraprin komente të tjera si “nuk ka kuptim, nuk përshtatet me ritmin e tifozëve, është pa emocion, këngë shumë pa ndjenjë”.
Një tjetër komentues thotë se kënga ka një muzikë tejet të zakonshme, një këngë që i ndryshojnë vetëm fjalët dhe ka të njëjtën vijë muzikore si shumica e këngëve.
“Kënga është e bukur por shumë komerciale dhe verore, pa adrenalinë dhe nuk jep atmosferë futbolli. Duhet të ishte diçka më e veçantë. Mund të jetë e bukur por jo që të shënjoj këtë event”, thonë të tjerë komentues.
Nuk kanë munguar as personat që e lidhin këngën me mungesën e theksuar të patriotizmit, duke thënë se refreni Albani, Albani...” është i gabuar.
“Kush është Albani?” pyet një nga tifozët, duke ironizuar refrenin.
Një tjetër shprehet se në vend të ‘Albani o Albani’, do ishte më bukur nëse do ishte “Shqipëri o Shqipëri”, duke qenë se edhe ky version rimon me pjesën tjetër të këngës.
Të tjerë qytetarë kanë shkuar edhe më tej, duke përfshirë identitetin kombëtar.
“Ku vajti Shqipëria ose qofte dhe Arbëria...? Dhe pastaj e kanë fajin të tjerët që thonë se kemi mungesë identiteti kombëtar. Keni komercializuar gjithçka”, thotë një nga komentuesit.
Të tjerë janë në ‘kërkim’ të një ndjenje që duhej t’u shkaktonte kënga, ndërsa presin ta dëgjojnë më shumë, me shpresë se do ketë ndjejnë një emocion.
“Respekt për këngën por kjo të paktën për momentin s’më jep emocion”, thotë një nga komentuesit.
Ndërkohë një tjetër thotë se nuk është këngë që motivon lojtarët sepse nuk ka fjalë që peshojnë.
Këngën gjithashtu e lidhin me Shqipërinë por me Shqipërinë e turizmit, jo futbollit.
“E lezetshme si këngë por nuk kapa ndonjë lidhje të madhe me futbollin, duhet këngë tjetër për të ngritur peshë zemrat e tifozëve, prita ritëm dhe energji”, janë disa nga komentet.
“Super këngë për promovimin e turizmit në Shqipëri, por s’ka të bëjë me kombëtaren”, thotë një nga komentuesit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.