Drejtësia

Durrës, 32-vjeçari dhunohet në spital nga babai i vajzës që ishte në një lidhje. Burg për 3 familjarët

Gazeta Si- Tre persona, të cilët kundërshtuan policinë dhe dhunuar në ambientet e spitalit të Durrësit një 32-vjeçar, janë lënë në burg nga gjykata.

Shkaku i dhunës së ushtruar ndaj tij dyshohet se ishte një lidhje dashurie e kundërshtuar nga familja e vajzës.

Babai dhe të afërm të saj, që dyshohet se e ndiqnin të riun, u futën në ambientet e spitalit dhe pasi kundërshtuan me forcë policinë, e rrahën atë duke e goditur me grushte në kokë dhe trup.

Policia e Durrësit arrestoi në flagrancë tre shtetasit me origjinë nga Dibra dhe banues në plazhin e Durrësit, ndërsa 32-vjeçari, pasi ka marrë ndihmën shëndetësore dhe ka dhënë dëshminë e tij, është lënë i lirë.

Të ndaluarit ata akuzohen për veprat penale të “kundërshtimit të punonjësve të policisë” vepër e kryer në bashkëpunim, si dhe “plagosje të lehtë me dashje”.

Sipas të plagosurit, familja e vajzës nuk e ka pranuar lidhjen e tyre dhe ai është kërcënuar me jetë nga babai i vajzës, i cili në telefon e ka kërcënuar se nëse nuk largohet nga Durrësi, do ta vriste bashkë me të bijën.

Ngjarja ndodhi mbrëmjen e të hënës në urgjencën e spitalit, ku policia kishte dërguar për kontroll shëndetësor një 32-vjeçar nga Durrësi, që drejtonte automjetin në gjendje të dehur.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë