Gazeta Si - Edhe këtë të martë, në orën 11:00, opozita do të zhvillojnë protestën e radhës përpara Bashkisë së Tiranës, drejtues të lartë të cilës tashmë janë të arrestuar nga SPAK për korrupsion.
Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit Kombëtar që është nismëtare e këtyre protestave të përjavshme, është mbështetur nga Partia Demokratike që i ka denoncuar pa u ndaluar aferat korruptive si dhe në tërësi nga forcat opozitare.
Përmes një njoftimi për mediat, Policia e Shtetit bën me dije se ka marrë masa organizative dhe operacionale për garantimin e rendit publik dhe sigurisë gjatë zhvillimit të një tubimi të kërkuar nga "Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit", ditën e sotme, më datë 28 maj 2024, ora 10:00, pranë Bashkisë së Tiranës.
Në njoftimin e policisë bëhet e ditur se rreth orës 9:30 do të ketë bllokim të përkohshëm të qarkullimit të automjeteve në bulevardin kryesor pranë Bashkisë së Tiranës.
Për këtë arsye policia sugjeron që të përdoren rrugë alternative deri në mbarimin e protestës, automjetet mund të kalojnë nga Unaza e Mesme dhe Unaza e Madhe.
“Policia e Shtetit bën me dije se, ka marrë masa organizative dhe operacionale për garantimin e rendit publik dhe sigurisë gjatë zhvillimit të një tubimi të kërkuar nga “Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit”, ditën e sotme, më datë 28 maj 2024, ora 10:00, pranë Bashkisë së Tiranës. Në zbatim të planit të masave, Policia e Shtetit njofton se, sot, prej orës 09:30 e në vijim, do të ketë bllokim të përkohshëm të qarkullimit të mjeteve, në bulevardin kryesor pranë Bashkisë së Tiranës. Për këtë arsye sugjerojmë që të përdoren rrugë alternative, deri në përfundim të tubimit, si Unaza e Mesme dhe Unaza e Madhe. Gjatë disa tubimeve të mëparshme, të zhvilluara nga Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit, në sheshin para Bashkisë Tiranë, janë evidentuar raste të përsëritura të kundërshtimit të forcave të policisë, përdorimit dhe hedhjes së molotovëve e sendeve të tjera, në drejtim të Bashkisë Tiranë, duke rrezikuar seriozisht jetën dhe shëndetin e punonjësve të policisë dhe vetë pjesëmarrësve në tubime. Policia u përsërit thirrjen organizatorëve, drejtuesve dhe pjesëmarrësve në tubime për të respektuar ligjin dhe për t’u distancuar nga çdo akt dhune,” njofton Policia e Shtetit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.