Autoriteti Rrugor Shqiptar ka përfunduar procesin e verifikimit dhe matjeve për 46 objekte që preken nga projekti i rehabilitimit të “Unazës së Madhe” të Tiranës, në segmentin nga Pallati me Shigjeta deri te Sheshi Shqiponja.
Pronarët e këtyre objekteve, të shtrira përgjatë tre loteve të këtij segmenti kishin dorëzuar dosjet e dokumentave të pronësisë pranë institucionit dhe ARRSH në respektim të detyrimit ligjor ka kryer verifikimin dhe matjen në funksion të procedurës së shpronësimit.
Aktualisht, ARRSH po bën gati dosjet e shpronësimit për këto objekte të para për ti përcjellë në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë e më tej në Këshillin e Ministrave ku do të miratohet shpronësimi.
Ndërkohë Autoriteti Rrugor Shqiptar u bën thirrje të gjithë banorëve të objekteve që preken nga projekti i Unazës së Madhe të Tiranës të paraqesin sa më shpejt dokumentacionin e pronësisë për të përfituar pa vonesa nga ajo çka përcakton ligji për rastet e shpronësimit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




