Arsim

Zgjedhjet në universitetet publike, Sindikata: Mos ndikojë politika, të mbështeten kandidatët që ishin pro protestës së pedagogëve

Nga Gazeta Si - Sindikata e Punonjësve të Universiteteve ka bërë thirrje për një fushatë me konkurencë dhe zgjedhje të ndershme për organet kolegjiale dhe drejtuesit e universiteteve, në prag të zgjedhjeve që mbahen më 21 qershor.

Në një njoftim zyrtar, Sindikata shkruan se duhet një fushatë me konkurrencë dhe me disa kandidatë në zgjedhjet për të gjitha nivelet drejtuese.

“Sindikata inkurajon konkurrimin e hapur dhe dënon çdo tentative për të bërë zgjedhjet në universitete një farsë”, shkruhet në njoftim.

Ndër të tjera, Sindikata kërkon që të ketë programe konkrete për zhvillimin akademik e institucional të Universitetit e njësive të tjera akademike dhe të qëndrohet larg “lobingjeve të sëmura, nepotizmave, klientelizmit, apo ndikimeve politike”

“Sindikata nxit Komisionet Institucionale Zgjedhore (KIZ) që votimin për Rektorin e Universitetit ta organizojë në mënyrë të qendërzuar, në një kuti të vetme pranë godinave qëndrore të rektorateve dhe me një listë unike zgjedhore dhe jo të shpërndara nëpër fakultete si deri tani. Kjo sipas praktikave më të mira europiane dhe për të garantuar një rektor që përfaqëson të gjithë trupën akademike dhe studentët. E bëjmë këtë propozim duke parë se në të shkuarën ka patur shenja të sjelljeve të Rektorëve sipas votave që kanë marrë në fakultete të ndryshme, duke trajtuar një fakultet si “të njerkës” e një si “të nënës”. Votimi me një kuti do të evitonte dallimet ndërmjet fakulteteve të ndryshme, nga ana e Rektorit të ardhshëm”, shkruhet në njoftimin e Sindikatës.

Gjithashtu, Sindikata kërkon mbështetjen e kandidaturave që kanë qenë pjesë e Lëvizjes Universitare të fillim vitit akademik 2022-2023, për paga më të mira dhe financim me dinjitoz të arsimit të lartë, mishëruar në Peticionin e profesoratit, duke u bërë thirrje me këtë rast kandidatëve që të futin në programet e tyre realizimin e plotë të kërkesave të peticionit, si dhe bashkëpunimin me sindikatën.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë