Drejtësia

Legalizuan godinën me dokumente false, shkon në gjyq dosja ndaj ish-drejtoreshës së ASHK Sarandë dhe dy zyrtarëve

Gazeta Si – Ish-drejtoresha e ASHK (Agjencia Shtetërore e Kadastrës) Aida Demi dhe dy ish-specialistë janë dërguar në gjyq nga Prokuroria për “shpërdorim detyre”.

Siç njoftohet zyrtarisht nga Prokuroria e Sarandës, ata kanë lejuar legalizimin e një objekti 4 kate me dokumente të falsifikuara në favor të ish-deputetit të PD, Gani Hoxha.

Gjykata e Shkallës së Parë në Sarandë ka vendosur masën e “arrestit në shtëpi” për 2 ish-specialistët dhe personin që ka përfituar lejen, ndërsa për ish-drejtoreshën “detyrim paraqitje”.

Për të njëjtën vepër penale akuzohen edhe  dy ish-specialistet e ASHK Sarandë, Erald Lika dhe Ermen Stroka, ndaj të cilëve gjykata ka vendosur masën e sigurisë “arrest në shtëpi”,

Kjo masë është vendosur edhe për ish-deputetin e Partisë Demokratike Gani Hoxha, i cili dyshohet se ka përfituar padrejtësisht nga procedura e legalizimit dhe që dyshohet se ka përdorur dokumente të falsifikuara.

Nga këto veprime të kundërligjshme të specialiteteve dhe ish-drejtoreshës së ASHK Sarandë, është tjetërsuar pasuria truall me sipërfaqe 1000 m2 dhe godine katër kate me sip ndërtimi për banim 1359 m2 dhe me sip 1056 m2 aktivitet social ekonomik.

Prokuroria e cilëson legalizimin dhe regjistrimin e pronës si të paligjshëm, pasi kjo pronë është e regjistruar në emër të familjes Sejko dhe është përfituar nga Hoxha me dokumente të falsifikuara.

Kjo godinë disponohej dhe jepej me qira prej vitesh nga pronarët e vërtetë një subjekti të  njohur tregtar në të gjithë teritorin e vendit i cili ushtronte aktivitet edhe në periudhën kur janë kryer procedurat e legalizimit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë