Drejtësia

Trafik droge, sekuestrohen në Durrës pasuritë e të dënuarit në Shqipëri dhe Itali

Gazeta Si - Saimir Gjepalit, një emër i njohur për drejtësinë shqiptare si pjesë e grupit të Avdylajve në Shijak, i janë sekuestruar disa pasuri me urdhër të Prokurorisë së Durrësit.

Në pasuritë e sekuestruara përfshihen banesa, lokale dhe sipërfaqe toke. Me anë të një njoftimi, prokuroria thotë se ka sekuestruar pasuritë e një të dënuari në Shqipëri dhe Itali për “Pjesëmarrje në organizatë kriminale në trafikimin e lëndëve narkotike”

Gjepali është nën hetim për veprën penale të “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose i veprimtarisë kriminale” të parashikuar nga neni 287 i Kodit Penal.

"Personi, të cilit iu sekuestrua pasuria ka ushtruar aktivitet të paligjshëm dhe me Vendimin të Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda Tiranë, është deklaruar fajtor dhe dënuar për veprën penale të “Trafikimi i narkotikëve” e kryer në bashkëpunim dhe më shumë së një herë", - thuhet në njoftim.

50-vjeçari u arrestua me qëllim ekstradimi në janar të 2022, pasi ishte në kërkim ndërkombëtar sepse gjykata e Milanos në Itali në vitin 2011 e ka dënuar me 24 vite e 2 muaj, për veprat penale "Pjesëmarrja në organizatë kriminale" dhe "Trafikimi i lëndëve narkotike".

Gjepali, ka qenë i arrestuar në 2018 në Shqipëri për laboratorin e heroinës në Has, së bashku me anëtarët e tjerë të grupit të Avdylajve, ku u goditën 4 grupe kriminale.

Ai u bë protagonist, pasi në 30 maj të vitit 2020 ishte pjesë e grupit që ndezën revoltën në burgun 313 në Tiranë, ku dhe vendosën policin me shpatulla pas tualetit. Ai ka qenë edhe subjekt i OFL-së.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë