Lajme

Kuvendi hedh shortin më 7 dhjetor për KED pas refuzimit të Metës

Kuvendi ka përcaktuar datën 7 dhjetor për hedhjen e shortit për Këshillin e Emërimeve në Drejtësi, kjo pasi Presidenti i Republikës Ilir Meta njoftoi se nuk mund ta hidhte për shkak të vakumit ligjor.

Më 26 nëntor Presidenti njoftoi me shkresë Kuvendin, se nuk mund të hidhte shortin për KED. “Për shkak të vakumit ligjor nuk e hedh dot shortin e KED. Ndërhyni në ligj ose në të kundërt hidheni vetë shortin sipas precedentit të vjetshëm”, thuhej në shkresën e presidentit drejtuar Kuvendit.

Ndërkohë Prokurorja e Përgjithshme e Përkohshme, Arta Marku ka dorëzuar dy lista për Këshillin e Emërimeve në Drejtësi.

Pas hedhjes së shortit dhe konstituimit të KED, pritet të plotësohen dhe 7 vendet vakante në Gjykatën Kushtetuese, institucion që aktualisht është jashtë funksionit për shkak se gjyqtarët dolën jashtë sistemit pasi nuk kaluan dot Vettingun në drejtësi.

Nëntë anëtarët e zgjedhur në KED do t’i hapin më pas rrugën për zgjedhjet e anëtarëve në Gjykatën Kushtetuese, e cila aktualisht është e paralizuar pasi në detyrë janë vetëm 2 anëtarë.

Një tjetër detyrë do të jetë vlerësimi profesional i gjykatësve në Shqipëri si dhe emërimi i inspektorëve.

Sipas procedurave, së pari do të përzgjidhen kandidatët e propozuar prej Gjykatës Kushtetuese, kandidatët nga Gjykata e Lartë, nga Prokuroria e Përgjithshme dhe më pas nga Apeli dhe gjykatat Administrative.

Deri më tani, nga nëntë emrat që ishin pjesë e shortit të vitit të shkuar, vetëm tre mundën ta kalonin vettingun.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë