Lajme

Shqiptari i vrarë në Greqi, mediat: U ekzekutua nga Agimi i Artë

Detaje të reja janë zbuluar për vrasjen e një shqiptari në Korfuz, pak ditë më parë. Mediat greke kanë bërë publik emrin e 63-vjeçarit, Petrit Zifle që sipas shtypit të vendit fqinj u vra nga një anëtar i Agimit të Artë.

Nga dëshmitë e personave në vendin e ngjarjes, shqiptari ishte konfliktuar me fjalë një ditë para vrasjes në një lokal të fshatit me autorin, për çështje të karakterit etnik.
U zbulua se autori ishte një 44-vjeçar nga Korfuzi, që rezulton anëtar i Agimit të Artë në

Lefkimi, madje dhe përfaqësues i kësaj partie në ditën e zgjedhjeve.
Autori kishte hapur debat me shtetasit jo grekë dhe për çështjen e Maqedonisë në lokal dhe aty kishte ndërhyrë dhe Zifle.

Personat e tjerë ne lokal i ndajnë dhe greku largohet duke kërcënuar Ziflen, të cilit në Greqi e quanin edhe Petro. Më pas, ai i bën pritë dhe e vret shqiptarin, të cilin e hedh në një kanal.

Sipas mediave greke, Zifle jetonte prej shumë kohësh në Greqi dhe madje ishte pronar i disa tokave në Lefkimi, Korfuz. Shumica e njerëzve e njihte Ziflen dhe janë solidarizuar. Gjithashtu ata kanë kërkuar që të merren masa për prezencën e Agimit të Artë në fshat.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë