Lajme

Ekskluzive / Arrestohet “Kumbari”

Arrestim i bujshëm ne Shkodër. Bardhok Pllanaj i konsideruar si Kumbari dhe njeriu që trazoi politikën dhe policinë katër vjet më parë u arrestua nga Policia e këtij qyteti. Pllanaj, i përfolur për narkotrafik, në fakt është arrestuar me vendim të gjykatës rreth orës 17:00 për dyshimet se ka pastruar para, falsifikuar dokumente dhe ndërtim pa leje.

Nuk bëhet fjalë vetëm për një shtesë pa leje, por për 10-katëshin e ndërtuar në Shkodër, i cili është vendosur nën sekuestro pas hetimit njëmujor të policisë.

Biznesmeni Bardhok Pllanaj në mënyrë të çuditshme ishte hequr nga lista e kërkimit pavarësisht se 4 vjet më parë emri i tij u lakua për drogën e kapur në Lagunën e Vilunit. Emri i tij doli nga Krimet e Rënda pas një hetimi që dërgoi në pranga shtatë persona.

Por, pasi policia ndërhyri për ta arrestuar pati dyshime se ajo nuk u lejua pasi Pllanaj udhëtonte me makinën e Mark Frrokut, në atë kohë deputet i Kuvendit të Shqipërisë.

Burime të Gjykatës së Shkodrës thonë për Gazetën “Si” se masa e sigurisë nuk është dhënë për këtë episod dhe nuk jepen detaje se si prokuroria e ka pastruar dosjen e njeriut që përmendet me nofkën “Kumbari”, thënë ndryshe njeriu që negocionte për veprimtarinë dhe “mbarësinë” e punës mes disa grupeve, qofshin ato nga Vlora, Saranda apo edhe Lezha.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë