Kosova

Kushtet për në KiE / Kurti paralajmëron nga Berlini zgjidhje për Asociacionin dhe votimin e Kodit të ri Civil

Nga Gazeta ‘Si’- Kryeministri Albin Kurti nga Berlini ku mori pjesë në ceremoninë në nder të 75-vjetorit të themelimit të Këshillit të Europës, bëri thirrje që Kosova të bëhet sa më shpejt anëtare e KiE.

Ai përmendi edhe zotimet e Kosovës që të plotësojë kërkesat që i janë bërë për t’u anëtarësuar në këtë organizatë.

“Që kjo të ndodhë duhet të ndodhin dy gjëra.Njëra prej tyre është Asociacioni për komunitetin serb dhe tjetra lejimi i bashkimit civil mes gjinive të njëjta – Kodi Civil, i cili s’ka gjetur përkrahje në Kuvendin e Kosovës deri tani”, deklaroi Kurti i cili shtoi se ai për këtë personalisht do të krijojë shumicën parlamentare, duke i bërë thirrje edhe opozitës.

“Më lejoni t’ju jap një shembull. Kosova do të synojë që së shpejti të bëhet vendi i dytë në Ballkanin Perëndimor, pas fqinjëve tanë Mali i Zi, duke u ofruar qytetarëve të saj të drejtën e bashkimeve civile të së njëjtës gjini. Ne do të punojmë shumë për ta kaluar këtë në të ardhmen shumë të afërt. Për këtë unë personalisht do të ndërtoj një shumicë parlamentare – dhe do të bëj thirrje për mbështetje të gjerë për këtë edhe nga partitë opozitare. Vendimi për mbledhjen e qeverisë për këtë çështje tashmë është marrë”.

Kurti tha se kjo do të bëhet edhe për shkak që e kërkon Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut, derisa kërkesa për anëtarësim të Kosovës në Këshill të Europës është në proces.

“Ne e bëjmë këtë sepse është një e drejtë, sepse është në kushtetutën tonë dhe sepse e dimë që Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut ka nxjerrë aktgjykime duke kërkuar që kjo të bëhet. Ne e dimë se ka vende në Këshillin e Europës për një kohë të gjatë që e kanë injoruar gjykatën për këtë. Kosova do të jetë ndryshe. Në këtë mënyrë duam të frymëzojmë të tjerët”, tha Kurti.

Ai foli edhe për minoritetet në Kosovë, duke thënë se do t’i zgjidhë “çështjet e pazgjidhura” me komunitetin serb si prioritet.

“Ne gjithashtu do t’i zgjidhim çështjet e pazgjidhura me të cilat ballafaqohen pakicat tona, të drejtat dhe nevojat e tyre, duke përfshirë minoritetin serb të Kosovës, si prioritet. Edhe për këtë, ne po punojmë me anëtarët gjermanë të Bundestagut për të përshkruar nisma të reja dhe të mëdha. Takimet e mia këtu në Berlin për këtë kanë qenë shumë inkurajuese”.

Duke nënvizuar se Kosova aspiron dhe punon për anëtarësimin në NATO e Bashkimin Evropian, kryeministri Kurti tha se hapi i parë për bashkimin me demokracitë evropiane është anëtarësimi në Këshillin e Europës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë