Drejtësia

Ofroi para për vota për vajzën e tij në zgjedhje, SPAK çon në gjyq dosjen ndaj Agim Locit

Gazeta Si – SPAK ka mbyllur hetimet dhe ka dërguar në gjyq dosjen në ngarkim të Agim Locit, i cili akuzohet për korrupsion për zgjedhjet e 14 majit 2023.

Sipas SPAK, Loci ka dhënë një shumë monetare deri në 10 mijë lekë për të votuar në favor të vajzës së tij, e cila garonte në zgjedhjet e 14 majit, në listën e kandidatëve për anëtare të Këshillit Bashkiak të Vorës.

“Nga hetimi i këtij procedimi penal ka rezultuar se, i pandehurit Agim Loci, është angazhuar në fushatën e zgjedhjeve vendore të datës 14 Maj, të vitit 2023, për bashkinë Vorë, ku shtetësja A. L., e bija e të pandehurit Agim Loci, ishte në listën e kandidatëve për Këshillin Bashkiak, si pjesë e një prej koalicioneve pjesëmarrëse në zgjedhje. Hetimi ka evidentuar se, i pandehuri Agim Loci, i ka ofruar shtetasit A.K. shumën monetare në vlerën prej 10 000 (dhjetë mijë) lekë, për të ndikuar në vullnetin e tij, në mënyrë që të votojë një subjekt të caktuar politik në Zgjedhjet për Organet e Qeverisjes Vendore, që janë zhvilluar në datën 14 Maj, 2023 (Bashkia Vorë)”, – thuhet në njoftimin e SPAK.

Vajza e Locit kandidonte në siglën e Partisë Demokratike.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë