E veja në mërgim e liderit të ndjerë të opozitës ruse Aleksei Navalny ka thënë se “askush nuk e di se çfarë të presë nga presidenti rus Vladimir Putin dhe paralajmëroi se lideri i Kremlinit mund të përdorë armë bërthamore nëse e sheh si të nevojshme”.
Yulia Navalnaya, e cila është zotuar të vazhdojë presionin ndaj Putinit që kur burri i saj vdiq i burgosur në një burg në Arktik, në shkurt të këtij viti, i tha agjencisë së lajmeve DPA se Putini është i paparashikueshëm kur bie puna për përdorimin e armëve bërthamore.
"Ai me shumë mundësi do t’i përdorte (bombat bërthamore)" shtoi ajo.
Navalnaya përdori skandalet dhe arrestimet e fundit të spiunazhit në Gjermani dhe Poloni për të argumentuar se Putini, për vite me rradhë, është duke zhvilluar një luftë në zemër të Evropës.
Pak ditë më parë një person i dyshuar që ka ndihmuar shërbimet e inteligjencës ruse për të vrarë presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, është arrestuar në Poloni.
Shtetasi polak, i quajtur Pawel K, dyshohet se ka i dhënë informacione sensitive inteligjencës ushtarake ruse që të planifikojnë një tentativë për vrasjen e presidentit ukrainas, deklaruan prokurorët polakë
Navalny, 47 vjeç, vdiq më 16 shkurt në rrethana të paqarta në një burg në Arktik ku po vuante një dënim 19-vjeçar për ekstremizëm dhe akuza të tjera që shihen gjerësisht si të motivuara politikisht.
Vdekja e tij në rrethana të paqarta u konsiderua si vrasje nga e veja e ishliderit të opozitës ruse Navalnya dhe mbështetësit e tij, pavarësisht certifikatës zyrtare të vdekjes që thoshte se Navalny vdiq për shkaqe natyrore.
Presidenti i SHBA Joe Biden dhe udhëheqës të tjerë perëndimorë kanë akuzuar Moskën për vrasjen e kritikut të saj më të frikshëm vendas, i cili u kishte mbijetuar helmimeve të shumta për të cilat fajsohej Putini.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.