Nga Gazeta Si- Policia ka arrestuar tre persona për dhunën dhe hedhjen e shisheve me molotov dje në protestën para bashkisë së kryeqytetit dhe disa të tjerë janë proceduar penalisht, ndër to edhe deputetët Klevis Balliu dhe Tedi Blushi.
Protesta e djeshme kishte tensione me molotovë dhe flakadanë të cilat u hodhën në hyrje të godinës, ndërkohë që qytetarët tërhiqnin gardhin metalik dhe tentuan të thyenin kordonin policor.
Për disa minuta, dera e bashkisë përfundoi nën flakë dhe u desht ndërhyrja e policisë për ta fikur.
Dje ishte protesta e tretë e opozitës para bashkisë pas arrestimit të drejtorëve dhe zyrtarëve të bashkisë në kuadër të dosjes “5D”.
Pas protestës ekspertë të grupit hetimor shkuan në vendngjarje për të mbledhur provat. Dhuna u dënua dhe nga ndërkombëtarët.
Në njoftimin zyrtar të policisë thuhet se protesta filloi me fjalime dhe përgjithësisht e qetë por në momentin që ka marrë fjalën shtetasi B. K (Belind Këlliçi), në drejtim të portës hyrëse të Bashkisë Tiranë, janë hedhur sende të forta dhe lëndë piroteknike artizanale (molotov).
Pas kësaj një grup protestuesish, në drejtimin e shtetasve F. N (Flamur Noka)., K. B(Klevis Balliu), T. B(Tedi Blushi), dhe të personave të tjerë, kanë tentuar të çajnë kordonin e Policisë, në portën tjetër të Bashkisë, nga krahu i sheshit “Skënderbej”, dhe gjatë këtij momenti ka patur konfrontim midis protestuesve dhe punonjësve të Policisë.




Pas përfundimit të protestës janë kryer veprimet procedurale, është këqyrur vendi i ngjarjes, ku janë sekuestruar në cilesinë e provës materiale objekte dhe sende të hedhura në drejtim të Bashkisë Tiranë, të cilat janë dërguar për ekspertime të mëtejshme kriminalistike.
Për përdorim të lëndëve piroteknike (molotov) janë arrestuar në flagracë shtetasit K. V., 18 vjeç, dhe B. M.,18 vjeç.
Gjithashtu po punohet për identifikimin dhe kapjen e dy shtetasve, të cilët kanë hedhur dhe kanë përdorur lëndë piroteknike (molotov).
Për ushtrim dhune ndaj punonjësve të Policisë është arrestuar shtetasi F. K., banues në Lushnjë.
Janë proceduar ne gjendje të lirë shtetasit K. B., T. B., E. V., D. B dhe po punohet për kapjen e shtetasve A. T., R. D., A. M., J. H., B. Z., B. Gj., E. P., dhe A. P.
Gjithashtu janë administruar pamjet filmike të protestës dhe vijon këqyrja e pamjeve për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në veprimtari kriminale.
Materialet procedurale do i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë për veprime të mëtejshme.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




