Politike

Ambasada amerikane dënon sulmet e Metës ndaj SPAK: Mbështesim ata që i japin fund pandëshkueshmërisë

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë me anë të një postimi në median sociale X (më parë Twitter) ka dënuar sulmet e drejtpërdrejta dhe të tërthorta kundër SPAK-ut në ditët dhe javët e fundit.

Në reagimin e tyre, Ambasada Amerikane thekson që SHBA-të do të vazhdojnë të qëndrojnë në krah të shumicës dërrmuese të qytetarëve shqiptarë që mbështesin institucionet e reja të drejtësisë dhe “do të mbështesë të gjithë ata që kërkojnë t’i japin fund pandëshkueshmërisë”.

Ky reagim vjen në përputhje me deklaratën e Këshillit të Lartë të Prokurorisë (KLP), e cila u shpreh se i cilëson deklaratat e tilla si fyese dhe intimiduese, ndërsa bën thirrje të mos cenohet puna e prokurorëve të Prokurorisë së Posaçme.

KLP-ja, ditën e djeshme dënoi sulmin e kreut të Partisë së Lirisë, Ilir Meta, në drejtim të kreut të Prokurorisë së Posaçme, Altin Dumani – të cilin e akuzoi se ishte takuar me ish-agjentin e FBI-së, Charles McGonigal.

“Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka ndjekur me shqetësim ditët e fundit, deklaratat e subjekteve të veçanta në mediat audio vizive dhe ato elektronike, lidhur me prokurorët e Prokurorisë së Posaçme pranë (SPAK) dhe kreut të saj. Këshilli i Lartë i Prokurorisë, dënon çdo gjuhë urrejtje, shprehje, veprim fyes dhe intimidues që synon të denigrojë në mënyrë të padrejtë figurën e prokurorëve apo të ushtrojë presion ndaj tyre, duke i bërë thirrje gjithkujt të mos cenojë në asnjë mënyrë punën profesionale të prokurorëve të Prokurorisë së Posaçme”.

Ndërkohë, drejtuesi i SPAK, Altin Dumani ka reaguar për herë të parë pas akuzave të kryetarit të Partisë së Lirisë, Ilir Meta, se ky i fundit është takuar me Charls McGonigal dhe më pas ka nisur hetime për ish-Presidentin.

Dumani në një reagim për mediat, ka theksuar se ai nuk e ka takuar kurrë, Charls McGonigal.

Sipas kreut të SPAK, gjithçka është thënë në media është në vazhdën e akuzave që behën ndaj institucionit që ai drejton.

Altin Dumani tha se nuk e ka njohur kurrë McGonigal dhe emrin e tij e ka dëgjuar pas publikimit të lajmeve në media.

"Unë nuk e kam takuar kurrë McGonigal. Gjithçka është thënë në media, është në vazhdën e akuzave të vazhdueshme, te pabaza që bëhen për institucion që unë drejtoj. Nuk ka pasur asnjë arsye për të takuar McGonigal, as nuk e kam njohur kurrë dhe emrin ia kam dëgjuar pas publikimeve ne mediat shqiptare", tha Dumani në një reagim për mediat.

Akuzat e Metës erdhën në emisionin "Opinion", ku kreu i Partisë së Lirisë deklaroi se Kreu i Prokurorisë Speciale Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit Altin Dumani, është mbrojtës i pandëshkueshmërisë së Kryeministrit Edi Rama dhe se nisi hetimet ndaj tij pas takimit me Mc Gonigal.

“SPAK-u ka nis hetim në dhjetor 2019, sipas të dhënave të mia edhe pas takimeve të Dumanit me McGonigalin. Dhe pse ka nisur në dhjetor 2019 për një çështje të mbyllur? Sepse ishte koha që Ilir Meta nuk lejonte të pushtohej Gjykata Kushtetuese nga banda e Edi Ramës”, tha Meta.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë