Politike

Dështimi i dy komisioneve hetimore, kronikë e një politike të paralajmëruar

Kur Gazment Bardhi u ul në një tavolinë me Bledi Çuçin dhe Lindita Nikollën  për të marrë dy komisione hetimore në këmbim të zhbllokimit të punimeve të Kuvendit pak kush e besoi nën zë se ajo marrëveshje do të funksiononte, nisur nga eksperienca e dështuar në këtë kaluarën.

Komisioni hetimor për sterilizimin dhe check-up ka dështuar për të katërtën herë për çështje procedure.

Albana Vokshi ka kërkuar largimin e dy anëtarëve socialistë të komisionit Plarent Ndreca dhe Milva Ekonomi me argumentin se janë në konflikt interesi. Kjo nuk është pengesa e vetme. Anëtarët PS-PD nuk bien dakord as për listën e dëshmitarëve dhe nga cilat institucione duhet marrë informacion.  

Vokshi deklaroi në një intervistë për gazeta ‘Si’ rrugën që do të ndiqet këtej e tutje, (kërkesë Kuvendit për largimin e anëtarëve dhe informimi i ndërkombëtarëve)  por pa ndonjë produkt konkret deri më tash.

Së fundmi është bllokuar edhe komisioni hetimor për TIMS. Të hënën anëtarët e PS-së bojkotuan mbledhjen dhe nënkryetari i këtij komisioni, Toni Gogu doli në një deklaratë për media.

“Dje u larguam me dhimbje nga Komisioni Hetimor për trajtimin e të dhënave TIMS. Në mbledhjen e djeshme ishim të shtrënguar që nga anëtarë të një Komisioni Hetimor, të bëheshim dëshmitarë sesi Ligji u shkel sistematikisht me injorancë si një gjë e pavlerë.

Ligji që duhet të respektonim për të sqaruar një çështje të veçantë (në rastin tonë, veprimtarinë e institucioneve të ngarkuara për mbrojtjen e sistemit TIMS), por pa marrë të pandehur dhe pa ngritur akuzë penale.

Ne, ligjvënësit anëtarë të Komisionit Hetimor, në zbatim të ligjit për komisionet hetimore, ndihmohemi nga ekspertët ligjorë. Nga ata ekspertë ligjorë të Komisionit, që janë miratuar me shumicë të cilësuar. Ligji ngarkon ekspertët ligjorë për grumbullimin e informacionit dhe hartimin e Planit të Hetimit. Planin e Votimit ne e votojmë, dhe më pas e zbatojmë me përpikmëri në thirrjen dhe pyetjen e dëshmitarëve dhe krerëve të institucioneve”, tha Toni Gogu duke risjellë një debat të hershem mes dy forcave politike ajo e bllokimit të punimeve sa here mungon vullneti dhe kur mungon kjo e fundit gjithçka me pas amplifikohet deri tek detyrat që ka gjithësecili edhe pse ligji e ka fare të qartë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë