Politike

Rama vizitë zyrtare në Paris, Macron: Keni mbështetjen tonë në integrimin europian

Në vizitën e tij zyrtarë në Paris, kryeministri Edi Rama mbajti një deklaratë për shtyp me Presidentit francez, Emmanuel Macron.

“Po vij nga një përvojë e dendur para disa minutash, një ceremoni që s’e kisha imagjinuar kurrë në jetën time, që u nënshkrua me mbërritjen time në Francë në fillim të viteve ’90. Kur vija nga aeroporti, mbajta radhën gjatë për të gjetur një taksi, pastaj jetova ato vështirësi të mëdha të asaj kohe për të gjithë ata dhe ato që vinin nga Shqipëria, që kishin një pasaportë shqiptare sepse Europa nuk ishte e lehtë për ne në ato kohë. 

Pastaj mendoja se kisha parë gjithçka kur mbërrita një ditë i shoqëruar për të ardhur në këtë pallat për të marrë Legjionin e Nderit, por sot jam vërtetë shumë krenar, jo për veten, por krenar për Shqipërinë, për këtë miqësi mes Shqipërisë dhe Francës sepse ishte hera e parë në historinë tonë të marrëdhënieve diplomatike që një përfaqësues i shtetit shqiptar të pritej në këtë mënyrë dhe të falënderoj me gjithë zemër sepse kjo do të thotë vërtetë shumë për Shqipërinë dhe shqiptarët dhe për më tepër, - këtu bëmë pak shaka me ambasadorin sepse ishte një grup njerëzish, një ekip miqsh të Shqipërisë që asokohe në vitet ’90 ishin një numër shumë i vogël sa gishtat e një dore, - sot janë shumë më tepër, sot ka njerëz të shumtë që janë në Shqipëri për të investuar, për të zgjeruar ndërmarrjet e tyre dhe vërtet ky është një revolucion....”, i tha Rama, Presidentit Macron

Po aq miqësore ishin edhe deklaratat e Macron.

"E admiroj rrugën që ka bërë vendi juaj për miqësinë, për ndjenjat shumë të thella europiane. Do të thoja ndoshta në fakt kështu janë francezët edhe më shumë se francezët, evropianët, pra ne i kushtojmë rëndësi kësaj dhe kjo është shumë e  rëndësishme për ne sepse jeni ju, jemi ne, marrëdhëniet janë të veçanta dhe kjo falë kësaj pune të përbashkët". tha Macron.

Macron përcolli mbështetjen për Shqipërinë:  

"Këto dy vizita të kryqëzuara dhe dialogu që ne kemi me njeri-tjetrin dëshmojnë për dinamikën e jashtëzakonshme të marrëdhënieve ndërmjet Shqipërisë dhe Francës. Ju e dini se mund të keni besim tek vendosmëria ime për të intensifikuar edhe më shumë. Dua të përsëris angazhimin e Francës në favor të angazhimit evropian të Shqipërisë dhe më gjerë, të lëvizjes që kemi për Ballkanin Perëndimor.

Siç e  nënvizova para gjashtë muajve në Tiranë, këtu bëhet fjalë vetëm për të vepruar për bashkimin e Europës, për ta bërë më të fortë, më sovrane në kontekstin e agresionit rus kundër Ukrainës, por gjithashtu përballë kërcënimeve dhe sfidave të përbashkëta. Është gjithashtu një premtim paqeje për të gjithë rajonin. Që prej mbajtjes së konferencës së parë ndërqeveritare ndërmjet BE dhe Shqipërisë në korrik 2022, Shqipëria ka vazhduar rrugën e saj europiane me vendosmëri.

Ju mund të keni besim tek mbështetja jonë për t’ju shoqëruar në këtë rrugë, me qëllim që negociatat të ecin sa më shpejt dhe tua them se jemi të impresionuar nga tërësia e reformave dhe kapacitetet për të avancuar në gjithë këto vitet e fundit, muajt e fundit nën drejtimin tuaj".

Më pas, në praninë e Kryeministrit Rama dhe Presidentit Macron u nënshkruan marrëveshje ndërqeveritare bashkëpunimi mes dy vendeve


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë