Kryeministri Edi Rama i ka karakterizuar si “historike dhe tradicionale marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Greqisë në një intervistë me drejtorin e përgjithshëm të agjencisë greke të lajmeve, ANA-MPA, Michalis Psilos, e dhënë gjatë konferencës “News agencies vs Fake News”, të mbajtur në Tiranë.
“Është një marrëdhënie historike dhe tradicionale dhe siç ndodh gjithmonë me fqinjët, nuk shkon gjithçka në mënyrë të përkryer… E dimë këtë nga mëhalla jonë. Qoftë në fshat, qoftë në qytet, qoftë midis shteteve, është e njëjta gjë. Mund ta kuptosh këtë nëse ndjek një ndeshje futbolli midis fqinjëve: është si luftë”, tha Rama.
Kryeministri theksoi se “Jemi të gatshëm që ta përmirësojmë këtë marrëdhënie dhe po e bëjmë këtë”.

I pyetur se kur do ta takojë kryeministrin grek Aleksis Tsipras, ai u përgjigj: “Pritet të takohemi së shpejti. Nuk e di se ku, në Tiranë apo në Athinë, por pritet të takohemi së shpejti. Jemi në një proces të një dialogu shumë intensiv dhe të diskutimeve për shumë çështje, që mbulojnë shumë vite, si dhe të çështjeve të tjera që kurrë nuk janë shtruar me vullnet të plotë, kurajë dhe vendosmëri për t’i zgjidhur. Besoj se jemi shumë pranë që t’i zgjidhim këto, e kjo do të ishte diçka me vlerë”
Por ai ndan bindjen se mes dy vendeve nuk ka armiqësi dhe se të tjerat thjesht janë politikë. “Nga ndonjëherë ndodhin gjëra të papëlqyeshme, por tani marrëdhëniet janë të mira dhe më e rëndësishmja është se nuk ekziston armiqësi ndërmjet të dy popujve. Grekët e duan Shqipërinë, shqiptarët e duan Greqinë. Të tjerat janë thjesht politikë”, tha më tej Rama.
Mes Shqipërisë dhe Greqisë ka mbetur pezull nënshkrimi i Marrëveshjes së Fqinjësisë së Mirë, ku përfshihet edhe Pakti Detar. Dorëheqja e kryediplomatit grek Nikos Kotzias, i cili ishte kryenegociatori i shtetit fqinj, si dhe vrasja e minoritarit grek Kacifas në Bularat të Gjirokastrës, kanë rikthyer tensionin politik mes dy shteteve, Shqipërisë dhe Greqisë.
Kryeministri shqiptar nga ana e tij shprehet se do ta takojë homologun grek së shpejti, por nuk ka përcaktuar ende një datë. Tsipras ushtron njëherësh dhe detyrën e ministrit të Jashtëm, duke marrë përsipër edhe vijimin e tratativa për gjetjen e marrëveshjeve si me Maqedoninë për çështjen e emrit, ashtu edhe për firmosjen e Paktit Detar me Shqipërinë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




