Politike

E përjashtoi Basha para 3 vitesh, Bardhi rikthen Berishën në grupin e PD. Alibeaj: Ngjarja më e hidhur, pazari i radhës me PS

Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla bëri me dije se deputeti Gazment Bardhi ka anuluar të gjitha masat disiplinore që janë ndërmarrë ndaj deputetëve në 3 vitet e fundit.

Në shkresën e firmosur nga Bardhi theksohet se është vendosur “revokimi i të gjitha vendimeve për masa disiplinore të marra nga grupi gjatë kësaj legjislature” duke bërë që të përfitojnë edhe 16 deputetë të përjashtuar nga grupi parlamentar i PD, duke mos llogaritur Agron Shehajn i cili është tërhequr vetë nga grupi parlamentar.

Fillimisht Basha më 9 shtator të vitit 2021 përjashtoi nga grupi Sali Berishën dhe përjashtoi 8 deputetë të tjerë pas dhunës së 8 janarit në selinë e PD-së.

Rikthimi i Sali Berishës në grupin parlamentar demokrat, 3 vite pas përjashtimit, kur u shpall non grata nga SHBA, për Enkelejd Alibeajn është ngjarja më e hidhur e pazarit dhe e marrëveshjes që bëhet pas dyerve të mbyllura të parlamentit. Në një deklaratë për mediat, ai tha se ai tha se sot Nikolla përfshiu deputetë në grup me një kërkesë të palegjitimuar nga PD.

“Sot Nikolla me qetësi olimpike përfshin me një kërkesë të palegjitimuar nga PD, përfshin përsëri  deputetë në grupin PD. Nuk kam hall me qëndrimin individual të deputetëve të PD, por qëndrimi zyrtar është qëndrim zyrtar dhe vlerë politike e jona. Ndaj kemi marrë këto akte që i quani përjashtime. Kanë qenë distancim nga simptomat e praktikat korruptive se një parti duhet të dalë përballë publikut dhe të tregojë a është e aftë që të distancohet për të qenë e besueshme ndaj publikut. Sot Lindita Nikolla merr e kuron qëndrime politike të PD”.

Sipas tij kjo ndodh për shkak të pazareve dhe i kujton Nikollës që asnjë i korruptuar dhe i dizenjuar non grata nuk do të jetë pjesë e PD-së.

“Mendo ku ka shkuar grotesku! Javën e kaluar Ulsi Manja, sot Nikolla. Kjo tregon në dritë të diellit se pazaret e natës ja ku të çojnë, të çojnë në atë që të gjithë janë në një kazan të vorbullës së vjetër 30 vjeçare. Qëndrimi i PD ka qenë parimor asnjë i korruptuar dhe i dizenjuar non grata nuk është e nuk do të jetë pjesë e PD. Mund të jetë pjesë e grupimeve që mban Nikolla. Po ajo duhet ta kuptojë që ajo që ka bërë PD është betejë e gjithë shqiptarëve. Kjo është ngjarja më e hidhur e radhës, e pazarit dhe e marrëveshjes që bëhet pas dyerve të mbyllura të këtij parlamenti”.

Duke iu referuar raportit të Freedom House për Shqipërinë për largimin e të korruptuarve në radhët e partive, ai theksoi se PD e ka ndërmarrë këtë betejë brenda vetes 3 vite më parë kur largoi Sali Berishën.

“Partitë politike t’i largojnë ata që janë të përfshirë në korrupsion dhe kjo është sentenca flamur që politika shqiptare duhet ta ketë si udhërrëfyes. Nga njëra anë drejtësia dhe tjetrën duhet ta bëjë politika. PD e ka ndërmarrë këtë betejë brenda vetes 3 vite më parë për t’u shkëputur nga sindromat e korrupsionit. Ka qenë një betejë jo pa dhimbje e vështirë dhe të gjithë ata që kanë qëndruar te këto vlera; kundërshtimi i korrupsionit”.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë