Politike

Dështon komisioni hetimor për Shëndetësinë, mungojnë deputetët e PS, Vokshi:  Do kërkojmë zëvendësimin e tyre

Mbledhja e Komisionit Hetimor për Shëndetësinë ka dështuar për herë të tretë. Deputetët e Partisë Socialiste nuk u paraqitën në mbledhjen e të martës, ku pritej të miratohej plani i hetimit 3 javor si edhe kërkesat për informacion.

Kryetarja e Komisionit, Albana Vokshi tha se do t’i drejtohen me një kërkesë kryeparlamentares Lindita Nikolla që të sigurojë mbarëvajtjen e mbledhjes. Në të kundërt, ajo tha se do kërkojnë zëvendësimin e tyre.

"Gazment Bardhi si kreu i grupit do i dërgojë një letër kryetares së Kuvendit, duke i kërkuar që të marrë masat se është përgjegjësi e Nikollës që të marrë masat për mbarëvajtjen e punës së këtij komisioni. Nëse deputetët mungojnë më shumë se tre herë pa arsye të ligjshme duhen larguar nga komisioni dhe zëvendësuar me të tjerë. Kjo është hera e tretë që 8 deputetë mungojnë pa arsye të ligjshme, ndaj nëse mungojnë edhe njëherë do kërkojmë largimin e nënkryetarit dhe sekretarit dhe të marrin masa për anëtarët e tjerë të komisionit", tha Vokshi.

Ajo tha se bojkoti i socialistëve po bëhet me urdhër të kryeministrit Rama.

“E kam thirrur mbledhjen bazuar në ligj dhe për herë të tretë e kanë dështuar. Me urdhër të Ramës ata po bojkotojnë punimet dhe hetimet parlamentare. Kanë shkelur rregulloren, Kushtetutën. U bëj thirrje që të mos ndjekin porosinë e Ramës që nuk do hetim parlamentar”, tha Vokshi.

"Nuk ka as lajm as surprizë.  Kjo nuk është një pamje normale ku mazhoranca të bojkotojë një vendim që e ka marrë edhe vetë. Kanë harruar që e vërteta vonon, por nuk harron. Drejtësia do vihet, ne do arrijmë t’i marrim ato informacione, do bëjmë publike çdo gjë siç e kemi bërë edhe para. Kështu po demaskojnë veten e tyre, interesin për të bllokuar këtë komision", tha anëtarja tjetër  e PD në komision, Ina Zhupa.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë