Konfindustria Shqiptare paralajmëron falimentimin e sigurtë dhe të shpejtë të industrisë shqiptare të plastikës nëse në Kuvend do të miratohen ndryshimet ligjore në kuadër të paketës fiskale të 2019.
“Mbështetur në projektin e paraqitur nga ekzekutivi, në një veprim të pashembullt më parë dhe i vetmi rast në Rajon, vendoset taksë mbi lëndën e parë të prodhimit të plastikës të përdorur nga industria vendore. Taksa mbi lëndën e parë të prodhimit të plastikës është në masën prej 25 leke/kg. Gjithashtu, është ulur në favor të qartë të kompanive të huaja importuese taksa e “mjedisit” nga 100 lek/kg në 35 lek/kg”, thuhet në një deklaratë të shpërndarë për mediat nga Konfindustria.
Konfindustria thotë se i ka kërkuar zyrtarisht Kuvendit që të mos miratojë aktet ligjore, pasi sipas saj janë një favorizim i drejtpërdrejtë të kompanive importuese greke e serbe.
“Miratimi nga Kuvendi i Shqipërisë i aktit ligjor në fjalë, pjesë e Paketës Fiskale 2019, sjell goditjen duke filluar nga 1 janari 2019 të afër 200 kompanive të prodhimit të plastikës me pasoja:- shkatërimin e mbi 240 milion euro investime të kryera, – kalimin si të papunë deri 8 mijë puntorë të lidhur drejtpërdrejt ose tërthorazi si dhe cenimin e rëndë të konkurencës brenda një numri të madh sektorësh të tjerë industrialë si të prodhimit të ujit, qumështit, lëngjeve”, vijon deklarata.
Nga kjo, Konfindustria thotë se ekonomia shqiptare rrezikon që të humbasë deri në 100 milionë euro në vit. “Një treg me qarkullim vjetor deri në 100 milion euro/vit rrezikon të shkatërrohet pa kthim dhe paratë e shqiptarëve do të shkojnë drejt konkurentëve rajonalë në Greqi dhe Serbi”, vijon deklarata.
Konfindustria i cilëson ndryshimet e propozuara si në kundërshtim me praktikat e ndjekura nga qeveritë e tjera të rajonit, madje edhe nga vetë Bashkimi Europian.
“Politika tregtare e deritashme mbi të cilën është mbështetur ndërtimi dhe funksionimi i industrisë shqiptare të plastikës, dobësohet me 10 herë në rastin e Shqipërisë, kur duhet të ndodhte pikërisht strategjia e kundërt për mbrojtjen e prodhimit vendor. Theksojmë, se politika tregtare e mostaksimit të lëndës së parë të prodhimeve plastike dhe taksimit të prodhimeve të gatshme plastike, zbatohet nga vetë qeveritë e vendeve të BE dhe Rajonit si masë efektive për mbrojtjen e njëkohshme të mjedisit dhe industrive vendore”, shton deklarata.
Jo vetëm kaq, Konfindustria mendon se goditje të rëndë do të kenë edhe fermerët me taksimin për herë të parë të një grupi të madh pajisjesh bujqësore.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




