Lajme

“Joshja” e Thaçit refuzohet nga Izraeli

Izraeli bën pjesë tek lista e vendeve që nuk e njeh ende Pavarësinë e Kosovës. Në përpjekje për të joshur shtetin hebre që të ndryshojë qëndrim, në muajin shtator Presidenti Hashim Thaçi bëri një propozim.

“Kosova do ta hapë ambasadën e saj në Jeruzalem nëse Izraeli vendos që të njohë Pavarësinë tonë”, deklaronte ai.

Presidenti i Kosovës tha në atë kohë se Prishtina nuk mund të dilte kundër interesave të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, që e zhvendosi ambasadën e saj pikërisht në Jeruzalem, edhe pse një rezolutë e Kombeve të Bashkuara, në të cilën Shqipëria votoi pro, e dënonte këtë lëvizje të Uashingtonit.

Kreu i Zyrës për Ballkanin në Ministrinë e Jashtme izraelite, Dan Orian konfirmoi propozimin e Thaçit në atë kohë. Por, së fundmi, propozimi i Presidentit të Kosovës është refuzuar. Mediat izraelite shkruajnë se Izraeli nuk është lëkundur nga qëndrimi i tij për të mos e njohur shtetin e Kosovës.

“Qëndrimi ynë është i qartë. Nuk do ta njohim Pavarësinë e Kosovës dhe për momentin nuk ka asnjë arsye të qënësishme që të ndryshojmë qëndrimin tonë. Izraeli është i vetëdijshëm se sa e ndjeshme është kjo çështje në Ballkan”, citohet një deklaratë e zëdhënësit të Ministrisë së Jashtme, Emmanuel Nahshon.

Por, megjithëse nuk e njeh pavarësinë, dyert e bashkëpunimit me Kosovën mbeten të hapura. Në Izrael pritet të hapet së shpejti një zyrë e bashkëpunimit ekonomik, që do të drejtohet nga një biznesmen vendas. Për hapjen e zyrës, Izraeli thotë se ka njoftuar edhe Serbinë.

Mediat në Beograd flasin për një presion të shtuar ndaj qeverisë së Benjamin Netanjahut për të njohur pavarësinë e Kosovës. Zërat që thonë se njohja nuk dëmton as interesat e Izraelit dhe as marrëdhëniet e këtij shteti me Serbinë dhe vendet e tjera të Ballkanit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë