Komunitet

‘Krishti u ngjall’, besimtarët katolikë festojnë Pashkën

Besimtarët e krishterë katolikë festojnë ngjalljen e Krishtit, teksa mbrëmjen e djeshme kremtuan Udhën e Kryqit.

Mesha e shenjtë u mbajt ne mesnate në katedralen e Shën Palit në Tiranë dhe u drejtua nga imzot Arjan Dodaj

Më herët gjatë ditës, Arqipeshkevi i Shkodrës, Imzot Angelo Massafra ka ndarë një mesazh urimi për të gjithë besimtarët katolikë në vigjilje të Pashkës Katolike.

Massafra përcolli një mesazh shprese dhe paqeje, ndërsa flet edhe për luftërat në Ukrainë e Rripin e Gazës.

Ai tha se në ditët e sotme priremi që gjithçka ta shohim zi, ndërsa në mesazh theksohet se duhet ta lexojmë të tashmen me sytë e fesë dhe që na largon çdo frikë për të ardhmen.

“Shumë të dashur vëllezër dhe motra, ju mbërrittë tek ju mesazhin tim i përzemërt me rastin e Pashkës së këtij viti 2024.

Është një mesazh paqeje dhe shprese, që dëshiroj t’ju mbërrijë të gjithëve ju, familjeve tuaja, si edhe personave tuaj të shtrenjtë që keni larg, që gjenden në situata të dhimbshme dhe të trishta: të sëmurë, të burgosur, të varfër dhe nevojtarë.

Mesazh paqeje në një botë të copëtuar nga lufta dhe të pushtuar nga fantazma e një konflikti të mundshëm në shkallë të gjerë. Një mesazh shprese që na ndihmon ta lexojmë të tashmen me sytë e fesë dhe që na largon çdo frikë për të ardhmen.

Po përjetojmë, sot si asnjëherë më parë, se sa e vërtetë është që, pasi e kemi hequr Zotin nga bota jonë, nga mendimet tona dhe nga zgjedhjet që duhen bërë çdo ditë në sferën personale, politike dhe shoqërore, gjithçka priremi që ta shohim zi. Sa të këqija na tregojnë lajmet çdo ditë! Për ta është burim fitimi (sepse e keqja përbën lajm dhe shitet shumë), por për ata që ushqehen me këtë të keqe është helm vdekjeje. Megjithatë e keqja është aty, ajo është e vërtetë; kështu ka qenë gjithmonë dhe nuk kemi pse të habitemi.

Feja na ndihmon që të kemi përpara syve tanë përvojën e Pashkës së Krishtit; një përvojë e cila, si e jona, përbëhet nga e Premtja e Madhe dhe nga e Diela e Ngjalljes. Feja nuk na bën që t’i mbyllim sytë përpara të keqes, por na bën që ta kuptojmë më mirë atë dhe të orientohemi kah e mira…”, thuhet ndër të tjera në mesazhin e Angelo Massafras.

Nga Vatikani, Kardinali 96-vjeçar Shqiptar, Eminenca e tij e Naltë Ernest Troshan Simoni  uroi besimtarët katolikë për pashkë.

Në mesazhin e tij ai uron të gjithë besimtarët katolikë të kenë në mendje Krishtin duke shtuar mesazhin për paqe dhe begati.

“Jetojmë në një kohë kur njerëzimi është mbushur me të papritura. Sot është festa për Krishtin. Kjo është festë e madhe. Urojmë që në çdo festë të kenë në mendje Krishtin. Të bashkoheni! Paqe dhe begati”, tha Kardinal Simoni.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë