Arsim

Trajnimi i mësuesve, eksperti: S’do të ketë rezultate, po u lihet faji për PISA-n

Nga Gazeta Si - Ministria e Arsimit dhe Sportit ka nisur trajnimin e mësuesve në Matematikë, Shkencë, Gjuhë dhe për Arsimin fillor. Por ky trajnim sipas Ndriçim Mehmetit, ekspert arsimi, është një faj i hedhur tek mësuesit për rezultatet e Shqipërisë në PISA dhe vjen pa asnjë studim të mirëfilltë se përse po bëhet trajnimi dhe cilat do jenë rezultatet.

“Ministria që në fillim tentoi t’ia hidhte fajin për rezultatin në PISA mësuesve duke thënë që e kanë fajin mësuesit dhe po i trajnon për metodat e mësimdhënies duke harruar se PISA në 2025 do bëhet më shumë për aftësitë digjitale të nxënësve”, thotë Mehmeti, duke shtuar se ky trajnim ka një sërë boshllëqesh, ndër të tjera.

Ndriçim Mehmeti, ekspert i arsimit. Gazeta Si, mars, 2023.

Eksperti thotë se Ministria nuk ka bërë një studim të mirëfilltë se cilat janë nevojat për trajnim që kanë mësuesit.

“Ku kanë ata më shumë nevojë ,në fushën e shkencave shoqërore apo natyrore se po trajnohen për shkencat natyrore por ka probleme më madhore si gjuha shqipe apo dhe mënyrat e mësimdhënies. Ne nuk kemi infrastrukturë. Kemi probleme në digjitalizim, jemi të fundit në rajon dhe po shkojmë drejt një trajnimi kur kemi këto probleme. Jashtë Tiranës nuk kemi infrastrukturë, kemi probleme interneti apo dhe kompjuterësh dhe po shkojmë në një trajnim në Shkencë”, thotë Mehmeti, duke shtuar se në të vërtetë, PISA ishte rezultat i reformës së re në arsim, jo i mësimdhënies.

“Nuk dha njeri dorëheqjen pas rezultatit të PISA-s, ndryshe nga çfarë ndodhi në botë. Në Francë, për shembull, drejtori i PISA-s, 1 orë pasi doli rezultati, dha dorëheqjen. Ndërkohë këtu nuk ka mekanizma që të kontrollojnë rezultatet”, shpjegon Mehmeti.

Ai thotë se trajnimi është një ‘detyrë’ që duhej të ishte bërë prej kohësh, ku fakultetet duhej të trajnonin mësuesit, jo OJF-të.

“Në nenin 58 thuhet se mësuesit trajnohen me buxhetin e shtetit, gjë që deri më tani nuk ka ndodhur sepse mësuesit janë trajnuar me buxhetin e vet për kredite. Mësuesit do shkojnë të detyruar, jo nga dëshira”.

Eksperti sqaron se ky trajnim do kishte rezultate nëse Universitetet do kishin në dorë një studim që tregon se në cilat fusha i kanë problematikat mësuesit.

Një tjetër detaj po aq i rëndësishëm është edhe kurrikula, se sa e njohin fakultetet kurrikulën nëpër shkolla.

“Ministria nuk u ofron Universiteteve kurrikula”.

Një problem tjetër është se nuk ka një vlerësim të 9-vjeçares.

“Bëjmë studim të maturës shtetërore por është e kotë se nxënësi është madhor tashmë. Duhet të bëjmë dy studime që janë të rëndësishme. Studimin e mësuesve, adresimin e arritjeve dhe vlerësimit të arsimit fillor dhe ti krahasojmë këto me 9-vjeçaren. Çfarë ndodh me këta nxënës. Ku kanë rënie, ku janë më mirë, cilat janë boshllëqet. Është e kotë të merren me rezultatet e një maturanti që e ka kryer rrugëtimin në shkollë”, përfundon Mehmeti.

Programi i trajnimit filloi me mësuesit nga shkollat në Durrës, Korçë, Elbasan dhe Tropojë, dhe do të zgjerohet për të përfshirë më shumë se 4000 mësues nga e gjithë Shqipëria deri në fund të vitit 2024. Synimi është trajnimi i mbi 16,000 mësuesve në vend.

Programi po mbështetet nga 7 universitete publike, duke përfshirë Universitetin e Tiranës, Elbasanit, Durrësit, Korçës, Vlorës, Gjirokastrës, dhe Shkodrës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë