Gazeta Si – Apeli i Juridiskionit të Përgjithshëm ka vendosur rihapjen pjesërisht të procesit ndaj ish-efektivit të RENEA-s, Arbër Paplekaj, i akuzuar për vrasjen e Pjerin Xhuvanit në Elbasan në prill 2021.
Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm pranoi me 4 mars kërkesën e Paplekajt për kryerjen e një ekspertimi kriminalistik në vendin e ngjarjes, për vrasjen e Xhuvanit. Arbër Paplekaj, është dënuar me 22 vite burg nga shkalla e parë.
Paplekaj kërkon edhe rikualifikim të veprës penale, nga vrasje me dashje në vrasje në kushtet e tronditjes së fortë psikike.
Në seancën e sotme, prokuroria pritet të japë informacion edhe për procedimin e pezulluar për personat e tjerë që kanë qëlluar me armë zjarri në vendin e ngjarjes gjatë përplasjes së grupeve të militantëve PD-PS.
Arbër Paplekaj, është dënuar me 22 vite burg nga shkalla e parë për vrasjen e Pjerin Xhuvanit më 21 prill 2021, pak ditë para zgjedhjeve parlamentare.
Paplekaj pranoi krimin dhe u vetëdorëzua në Repartin e Forcave RENEA në Tiranë duke thënë se qëlloi për vetëmbrojtje pasi u qëllua më parë nga persona që sipas tij po blinin vota.
Ngjarja zbuloi edhe skandalin e PD-së për ngritjen e një grupi të armatosur, të vetëshpallur Struktura për Mbrojtjen e Votës.
Për vrasjen e Xhuvanit, u dënuan me 1 vit shërbim prove dy ish-zëvendësdrejtorët e Policisë së Elbasanit, Albert Nushi dhe Nikollaq Palla. Po ashtu dënim me nga 16 muaj shërbim prove u vendos edhe për 6 efektivët e “Shqiponjave” Dedion Duraku, Pëllumb Biçaku, Erion Balla, Erion Meçja, Donald Dedja dhe Besmir Kadiu.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




