Drejtësia

Në hetim për abuzim me tenderët, ish-Prefektja e Fierit shkon në SPAK: Jam kundër pezullimit nga detyra

Gazeta Si – Prefektja e qarkut Fier Rajmonda Balili është paraqitur këtë të hënë në Prokurorinë e Posaçme në seancën për verifikimin e masës se sigurisë për veprën penale shkelje të barazisë në tenderë në dy raste dhe falsifikim dokumentesh në kohën kur ajo mbante postin e kryetares së Bashkisë Patos.

Balili po hetohet me masën e sigurisë pezullim nga detyra e Prefektes së Qarkut Fier, ndërsa duhej të paraqitej 4 ditë më parë në SPAK, por sipas burimeve u mësua se ajo ndodhej jashtë shtetit, konkretisht në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Vetë Balili u shpreh se nuk ka qenë në Shqipëri kur është dhënë masa dhe se ka ardhur vetë të njihem me hetimet.

“Nuk kam qenë në Shqipëri kur është dhënë masa. Kam ardhur vetë të njihem me hetimet. Jam marrë në pyetje më parë. Nuk mund ta them numrin sa tenderë ka marrë pjesë kompania ‘Genti 001’ dhe ç‘probleme ka. Ato kanë qenë baza materiale. Do t’i përgjigjem drejtësisë patjetër, nuk jam dakord me pezullimin nga detyra”, – u shpreh ajo për mediat pas daljes nga SPAK.

Balilaj akuzohet për abuzim me tenderë dhe favorizim të një kompanie në dy raste, kur drejtonte bashkinë e Patosit. Sipas SPAK, dyshohet se ajo paracaktoi kompaninë “Genti 001” fituese para se të zhvillohej tenderi.

Bëhet fjalë për një kompani, e cila rezulton me pronar 100% të aksioneve Ilir Dervishajn, kompani e cila sipas SPAK është shpallur fituese në 32 procedura prokurimi të organizuara nga Bashkia Patos.

Më herët Gjykata e Posaçme ka zhvilluar seanca për ish-vartësit e saj, 3 të pezulluar nga detyra dhe 3 të tjerë me masa sigurie detyrim paraqitje.

Balilaj nuk ishte paraqitur në seancën e GJKKO-së më 13 mars pasi ishte në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë