Rend dhe Ligj

‘Benzi’ i blinduar i kushëririt të Ervis Martinajt gjendet në Sauk, zbulohen 2 armë zjarri dhe bllokues valësh

Gazeta Si – Një informacion i mbërritur në rrugë operative Policinë e Shtetit mbi vendndodhjen e Esmeraldo Hatos, i njohur si Eljon Hato, i shpallur në kërkim për dosjen ‘Metamorfoza”, ka mobilizuar të gjithë strukturat në zonën e Saukut në Tiranë mbrëmjen e të premtes.

Në një vilë ngjyrë të bardhë policia ka zbuluar një makinë “Benz Mercedes” të blinduar që policia dyshon se i përket pikërisht kushëririt të Ervis Martinajt, i shpallur i zhdukur prej një viti.

Sipas policisë, automjeti është në pronësi të 28 vjeçarit Emiliano Nina, i cili ndodhet në burg prej një viti, por që përdorej nga Olsi Gjoshi.

Në një njoftim për mediat, policia thotë se në makinën e sekuestruar të 37-vjeçarit, hetuesit kanë zbuluar prova të rëndësishme.

Në këtë makinë, e cila u gjet në një parking pallati në rrugën “Xhabrahimi” në Sauk i Vjetër, gjatë këqyrjes, policia ka zbuluar një armë zjarri automatik, një pistoletë dhe një bllokues valësh të telefonave celularë.

Për të zbuluar pronarin e këtyre sendeve të kundërligjshme blutë i kanë dërguar në Policinë Shkencore për gjurmë të ADN-së.

Përgjatë gjithë natës ka pasur krehje të zonën e Saukut me qëllim kapjen e Hatos dhe Olsi Gjoshit, por pa sukses.

Sa i takon Emiliano Ninas, ai u përfshi në një aksident të pazakontë gushtin e vitit 2023 te diga e Liqenit Artificial.

Shofer i BMW-së ishte pikërisht Emiljano Nina, i cili u arrestua rreth dy muaj më vonë. Uniformat blu thanë asokohe se kanë referuar në prokurori Ninën për 7 akuza, më të rëndat prej tyre, ato të drejtimit të mjetit në mënyrë të parregullt dhe shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor.

28-vjeçari ka precedentë të mëparshëm kriminalë, ndërsa sipas burimeve edhe ai është kushëri i Ervis Martinajt.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë