Politike

Ambasadorja franceze: Franca mbështet integrimin e Shqipërisë ( nuk komenton krizën politike)

Ambasadorja franceze gjatë një vizite në Shkodër ka refuzuar t’u përgjigjet pyetjeve të gazetarëve mbi klimën e tensionuar politike në vend.

“Dëgjova fjalën politikë dhe preferoj që të mos përgjigjem. Nuk është normale për mua në këtë kuadër që të komentoj politikën”, tha Catherine Suard, pasi u pyet nëse është pjesë e grupit të ambasadorëve që po negocion me palët për t'i bindur që jeta parlamentare ti rikthehet normalitetit.

Gjatë prononcimit të shkurtër për mediat ajo është ndalur te procesi i integrimit të vendit në Bashkimin Europian. Suard theksoi se Franca mbështet Shqipërinë në aspiratën e saj 34-vjeçare për t’iu bashkuar bllokut dhe për këtë, sipas saj mjafton të shohësh zhvillimet gjatë vizitës së Emmanuel Macron në Tiranë.

“Dua të sqaroj që Franca nuk ka pasur qëndrim negativ por një qasje të re për integrimin e Shqipërisë në BE. Do doja të përmendja vizitën e Macron ku ai ka deklaruar mbështetjen e Francës ndaj Shqipërisë dhe në këtë mandat që unë sapo kam marrë, dua të garantoj se Franca mbështet këtë proces. Ne duam një Europë të fortë dhe kështu një Shqipëri të fortë. Dëshira ekziston por duhet të bëjmë përmirësime të vazhdueshme dhe të shpejta”, tha ajo.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë