Drejtësia

Vrau një polic në ’97 pas parakalimit të gabuar, Apeli lë në fuqi dënimin me 18 vite burg për ish-punonjësin e SHIK

Gazeta Si – Gjykata e Apelit në Tiranë ka lënë në fuqi dënimin me 18 vite burg për ish-punonjësin e SHIK-ut, Hektor Voci, i cili më 10 shkurt 1997 ka vrarë me armën e shërbimit një punonjës policie.

Voci ka qenë duke udhëtuar për arsye pune, në segmentin Tiranë-Fushë-Krujë, me kamion tip “Benz” si pasagjer dhe makina po drejtohej nga shtetasi me iniciale B.Xh., punonjës i SHIK-ut.

Ky i fundit ka parakaluar në mënyrë të gabuar duke vënë në rrezik automjetin që drejtohej nga shtetasi A. C., punonjës policie pranë Komisariatit Nr. 4, në Tiranë. Punonjësi i policisë i ka ndjekur me makinë dhe i ka ndaluar ata pranë fshatit Tapizë.

Ai ka dalë nga automjeti i tij dhe është afruar duke mbajtur në dorë armën e shërbimit tek kamioni, ku ndodhej i pandehuri.

Pas një konflikti verbal, Hektor Voci, ish-punonjës i SHIK, e ka qëlluar me automatikun e shërbimit, duke e vrarë në vend policin.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë