Politike

A po negociohet me PS? Noka: Elisa të mos bëjë batuta, të na thotë zyrtarisht hajde ulemi

Nga Gazeta Si -Sekretari i Përgjithshëm i PD-së së Rithemelimit, Flamur Noka, nuk u mohoi zërat për shkrirje akujsh me PS-në kur u pyet mbi disa hipoteza që janë ngritur se kreu i Grupit Parlamentar të PD-së së Rithemelimit, Gazment Bardhi po negocion me Partinë Socialiste për të zgjidhur krizën politike që ka çuar në "paralizë" jetën parlamentare nga 5 tetori i vitit të shkuar. Diçka të cilën e preku edhe vetë ministrja e Shtetit për Kuvendin, Elisa Spiropali një ditë më parë (të enjten) në Kuvend.

“Ne e kemi bërë çdo gjë publike. Nuk ka asgjë për të fshehur dhe asgjë për të nënkuptuar. Kemi çuar një kërkesë për komisione hetimore dhe një për reformën zgjedhore. Dhe kemi 2 muaj e gjysmë që presim që mazhoranca të reflektojë. Dhe të thotë po, do ulemi që të dëgjojmë kërkesat tuaja. Ata bëjnë politikën e tyre. Ata përgjithësisht janë fake. Në Konferencën e Kryetarëve ka qenë para dy ditësh kryetari i Grupit tonë Parlamentar. Do shkojë sa herë të bëhet kjo mbledhje se bëhet shpesh. Asnjëherë nuk është diskutuar asgjë. Në rast se ata kanë ofertë, duhet të dalë ose kreu i Grupit Parlamentar, ose zonja që të mandatohet dhe të bëjë ofertë publike. Ajo ishte nga të folurat që bë Elisa zakonisht. Edhe seancën e shkuar që u përjashtova unë, kështu më tha, hajde ulemi. Zonja Spiropali mundohet të bëjë batuta, biseda, por gjë konkrete. S’ka nevojë të bëjë batuta. Në mbledhjen e kryetarëve kremi kreun e Grupit tonë Parlamentar përfaqësues. Do të mblidhet Byroja, Kryesia, le të thonë hajdeni se i kemi konsideruar kërkesat tuaja", tha Noka në emisionin “Debat” në A2CNN.

I pyetur nëse ai apo Gazment Bardhi janë takuar në orët e fundit me eksponentë të mazhorancës, Noka u përgjigj i prerë me “Jo”.

“Jo. Në rast se ata për çështjen e kërkesave tona reflektojnë pa diskutim do takohemi. Ata duhet të thonë që konsiderojmë kërkesat të ligjshme. Kemi gatishmëri për komisionet hetimore dhe reformën zgjedhore. Sa kohë ata vazhdojnë me armiqësi, me përjashtime, kërkojnë me dhunë të nënshtrojnë opozitën, kurrë s’do t’ia arrijnë”, tha Sekretari i Përgjithshëm i Rithemelimit.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë