Drejtësia

Masakra te ‘Zogu i Parë’, Gjykata e Lartë lë në fuqi dënimin me burg përjetë për vrasësin italian të Camorras

Gazeta Si – Gjykata e Lartë ka lënë në fuqi dënimin me burg përjetë për vrasësin me pagesë italian, Salvatore Letizia. Në Dhomë Këshillimi është lënë në fuqi vendimi i ish-Gjykatës së Apelit për Krime të Rënda në vitin 2019 për ngjarjen e njohur si “Masakra në Bulevardin ‘Zogu i I’”.

Ngjarja ndodhi në 27 maj 2015, ditën kur presidenti serb, Aleksandër Vuçiç vizitoi Tiranën. Në një atentat pranë Fakultetit të Shkencave të Natyrës, u vranë Besnik Sulku, Mentor Lufi (Doçi) dhe Gert Goxhaj.

Si autorë u arrestuan italiani Salvatore Letizzia dhe dy vëllezërit Markeljan dhe Klevis Doçi. Edhe për këta të fundit Gjykata e Lartë ka lënë në fuqi dënimin me 27 dhe 20 vite burg.

Salvatore Letizzia, nga Napoli, i cilësuar vrasës me pagesë njihet edhe si pjesë e organizatës mafioze italiane, “Camorra”.

Letizia ishte punësuar nga Besnik Sulku për të ekzekutuar Mentor Doçin, të cilin e akuzonte si përgjegjës për vrasjen e të vëllait, Durim Sulku, në Holandë. Në momentin e atentatt, Mentor Doçi shoqërohej nga dy nipërit e tij, vëllezërit Markeljan dhe Klevis Doçi.

Pikërisht këta dy të fundit ekzekutuan Besnik Sulkun, organizatorin e atentatit, i cili shoqërohej nga killeri i “Camorras” në këtë ngjarje. Viktimë e atentatit mbeti edhe miku i Mentor Lufit, Gert Goxhaj.

Dënimet

Në tetor të vitit 2018 Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda ka dhënë dënimin për autorët e masakrës tek bulevardi “Zogu i Parë”.

Salvatore Leticia, është dënuar me burgim të përjetshëm, Markelian Doçi, është dënuar me 27 vite burg, ndërsa Klevi Doçi është dënuar me 20 vite burg.

Prokuroria kërkoi burg përjetë për Salvatore Letizia, 24 vite burg për Klevi Doçin dhe 34 vjet burg për Markeljan Docin.

Krimi i rëndë ndodhi më 27 maj 2015 dhe nga përplasja me armë mbetën të vrarë Mentor Lufi (Doçi), Gerti Goxhaj dhe Besnik Sulku.

Seriali i hakmarrjes mes Doçëve dhe Sulkut Në bazë të veprimeve hetimore, Prokuroria për Krime të Rënda i ka paraqitur Gjykatës dinamikën e ngjarjes, e cila është rindërtuar në bashkëpunim edhe me autoritetet hollandeze.

Saga e hakmarrjes

Në dhjetor 2014, shtetasi Mentor Lufi (Doçi) plagoset me armë zjarri në zonën e ish-Stadiumit “Dinamo”, në Tiranë dhe autorët largohen. Shënjestra e atentatit, Lufi, ka dyshuar se sulmi ndaj tij është organizuar nga vëllezërit Durim dhe Besnik Sulku. Ndërmjet Mentor Lufit dhe vëllezërve Sulku kishte nisur një konflikt në Hollandë, ku ata udhëtonin dhe qëndronin shpesh. Pas atentatit me pasojë plagosjen, Lufi organizon nipat e tij, Markeljan dhe Klevi Doçi, për t’u hakmarrë.

Në prill 2015, dy vëllezërit Doçi i bëjnë atentat me armë Durim Sulkut në qytetin Ridderkerk të Hollandës. Nga veprimet hetimore të autoriteteve hollandeze, rezulton se Durim Sulku gjendej në një automjet tip Smart, kur është qëlluar për vdekje disa herë me pistoletë nga Markeljan Doçi, i cili ishte i shoqëruar nga vëllai i tij, Klevi Doçi, gjithashtu i armatosur.

Pas atentatit në Hollandë, vëllezërit Doçi rikthehen në Shqipëri, duke iu shmangur autoriteteve hollandeze.

Masakra në Tiranë

Pas thuajse dy muajsh nga vrasja në Hollandë, konkretisht pasditen e datës 27 Maj 2015, Mentor Lufi, dy nipat e tij Markeljan e Klevi Doçi, si edhe miku i tyre, Gerti Goxhaj, gjendeshin në një lokal pranë Fakultetit të Shkencave, në bulevardin “Zogu i Parë” në Tiranë. Pasi janë ngritur nga lokali, ata kanë hipur në dy mjete dhe konkretisht: Mentor Lufi ishte pasagjer në mjetin e drejtuar nga Gerti Goxhaj; ndërsa vëllezërit Markeljan dhe Klevi Doçi gjendeshin në një automjet pas të parit, ku në timon ishte Markeljani.

Sapo kanë hipur në automjete, në dy pjesët anësore të makinës së parë, janë afruar dy persona të armatosur, të cilët kanë qëlluar personat që gjendeshin në bordin e saj, konkretisht Mentor Lufin (Doçi) dhe Gert Goxhaj.

Nga goditjet me armë ka vdekur në vend Goxhaj dhe është plagosur rëndë Lufi, i cili vdiq pak çaste më vonë. Në momentin e goditjes me armë, Markeljan Doçi afron me shpejtësi makinën drejt atentatorëve, duke përplasur fillimisht njërin prej tyre. Ky i fundit, i cili më pas rezultoi se ishte Besnik Sulku, ka qëlluar me pistoletë në drejtim të mjetit të dytë, por pa u shkaktuar dëme tek vëllezërit Markeljan dhe Klevi Doçi.

Të gjendur nën goditjen e armës tip pistoletë nga ana e Besnik Sulkut, Markeljani, gjithashtu i armatosur me pistoletë, ka reaguar duke qëlluar me armë.

Markeljani dhe Sulku kanë vijuar të qëllojnë njëri-tjetrin, derisa Besnik Sulku ka mbetur i vdekur, pak metra larg nga automjetet.

Menjëherë pas ngjarjes, forcat e Policisë organizuan operacionin për arrestimin e personave të përfshirë. Fillimisht, në vendngjarje u arrestuan vëllezërit Markeljan dhe Klevi Doçi.

Më vonë, pranë një hoteli në atë zonë, u arrestua edhe shtetasi italian, Salvatore Letizia, i cili rezulton se është personi që, së bashku me Besnik Sulkun, ishte pjesë e vrasjes së shtetasve Mentor Lufi dhe Gerti Goxhaj.

Akuzat mbi tre të pandehurit:

Markeljan Doçi, lindur më 1981, në Bulqizë, akuzohet për kryerjen e veprave penale të: “Vrasjes me paramendim”, kryer në bashkëpunim, në dëm të viktimës Durim Sulku (për ngjarjen në Hollandë); “Vrasje e kryer me kapërcim të kufijve të mbrojtjes së nevojshme”, në dëm të viktimës Besnik Sulku; “Mbajtje pa leje të Armëve Luftarake”, dy herë.

Klejvi Doçi, lindur më 1993, në Bulqizë, akuzohet për kryerjen e veprave penale të, “Vrasjes me paramendim”, kryer në bashkëpunim, në dëm të viktimës Durim Sulku (për ngjarjen në Hollandë); dhe “Mbajtje pa leje të armëve luftarake”.

Salvatore Letizia, lindur më 1981, lindur Cazerta (Itali), akuzohet për kryerjen e veprave penale të , ” Vrasjes me Paramendim” , kryer në bashkëpunim, në dëm të viktimës Gerti Goxhaj; “Vrasje për Gjakmarrje”, kryer në bashkëpunim, në dëm të viktimës Mentor Lufi (Doçi); dhe “Mbajtje pa leje të Armëve Luftarake”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë