Gazeta Si – Shtyhet sërish senaca për heqjen e masës së sigurisë “arrest shtëpie” për ish-kryeministrin Sali Berisha dhe dhëndrin e tij Jamarbër Malltezi për në datë 12 mars ora 15:00, të cilët janë nën hetim për aferën e privatizimit të klubit sportiv “Partizani”.
Avokatët kërkuan kohë të njihen me informacionin dy mujor të depozituar nga ana e SPAK në gjykatë në lidhje me hetimet për privatizimin e ish-kompleksit dhe në të njëjtën kohë depozituan një tjetër kërkesë për perjashtimin e gjyqtares Irena Gjoka.
Avokati Genc Gjokutaj foli për mediat pas vendimit për shtyrjen e seancës të kërkesës së Berishës dhe Malltezit.
“Akti i ekspertimit shpjegon nga fillimi në fund të gjithë ecurinë të Jamarbër Malltezi, janë të shpjeguara në kohë të gjitha, të gjitha llogaritë, akti i ekspertimit është depozituar i jep përfundimisht përgjigje për Malltezin dhe më pas edhe bashkëpunimit siç pretendohet me zotin Berisha siç pretendon Spak. Kjo është një çështje sa absurde, absurdi o më shumë kohë për t’u shpjeguar. Duam të provojmë që procedura qenë në rregull, nuk ka elementë korruptiv, nuk ka asnjë element të krijojë dyshimin se kemi të bëjmë me elementë të këtyre veprave. Shtyrja ishte si rrjedhojë kërkesës sonë. GJJKO feston në ditë zyrtare jo në ditë festash”, tha avokati.
Më 4 mars u shtynë dy seancat, njëra e Berishës dhe tjetra e Malltezit. Avokatit të këtij të fundit iu dha kohë për t’u njohur me informacionet e paraqitura nga Prokuroria e Posaçme.
Ndërkohë nga ana tjetër, Berisha kishte refuzuar të paraqitet në GJKKO, por në fletëthirrjen për seancën gjyqësore nuk kishte deklaruar se do të përfaqësohet nga avokatët mbrojtës, në ndryshim nga Malltezi.
Kështu dy seancat u bashkuan në një dhe kërkesa e tyre për revokim të masës “arrest me burg” do të shqyrtohet sot nga gjyqtarja Irena Gjoka.
Berisha ndodhet në “arrest shtëpie” i akuzuar për korrupsion së bashku me dhëndrin e tij, Jamarbër Malltezi për çështjen e privatizimit të ish-kompleksit sportiv “Partizani”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




