Politike

Basha niset për New York, do të prezantojë Rezolutën për Rindërtimin e Ukrainës në OKB

Kreu i PD-së, Lulzim Basha në një postim në rrjetin social Facebook, njofton se  është nisur për New York ku do të marrë pjesë në një sesion të veçantë të Kombeve të Bashkuara për Ukrainën. Në këtë sesion, ai do të prezantojë Rezolutën për Rindërtimin e Ukrainës, e cila pak ditë më parë u miratua në Këshillin e Europës.

“Jam rrugës për në New York ku do të marr pjesë në një sesion të veçantë në OKB për Ukrainën.

Aty do kem nderin të prezantoj Rezolutën për Rindërtimin e Ukrainës e cila pak ditë me parë mori dhe miratimin përfundimtar në Komitetin për Çështjet Ligjore të Këshillit të Europës.

Jam i lumtur që mu dha mundësia që edhe Shqipëria të japë një kontribut të rëndësishëm për krijimin e mekanizmit përmes të cilit Rusia sot dhe çdo agresor i mundshëm në të ardhmen, të mbahet përgjegjës edhe financiarisht për krimet dhe dëmet e shkaktuara.

Uroj që ky kontribut edhe në emër të Shqipërisë të vendosë standardet për të sotmen dhe të ardhmen, duke i shërbyer paqes dhe sigurisë në botë” thotë Basha në Facebook teksa komunikon me ndjekësit nga avioni që ka marrë për SHBA.

Përmes kësaj rezolute parashikohet krijimi i një fondi ndërkombëtar ku do të depozitohen asetet e Federatës Ruse për të paguar projektet e infrastrukturës në Ukrainë, transferimin e kapitaleve të ngrira të Federatës Ruse në fondin ndërkombëtar.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë