Gazeta Si – Ish-ministri i Shëndetësisë lir Beqaj ka refuzuar të paguajë 120 mijë lekë si taksë për marrjen e akteve të dosjes hetimore të tij nga SPAK për aferën e “Sterilizimit”.
Përmes një kërkese penale nga avokati i tij, ish-ministri i kërkon gjykatës të detyrojë SPAK-un, t’i japë aktet e dosjes pa paguar shpenzimet proceduriale paraprakisht.
Shuma që i është kërkuar Beqajt, si kosto printimi, është 120 mijë lekë të rinj, bazuar në tarifat e institucionit.
Ndërkohë, seanca e sotme, ku Beqaj nuk ishte prezent, por u përfaqësua me avokat, u shty për datën 11 mars në orën 12:30 për t’i dhënë kohë kërkuesit të paraqesë provat sipas asaj që parashikon ligji.
Gjatë seancës, avokati i tij ka pretenduar se duke qenë një person në hetim, Beqaj nuk duhet të paguajë për të marrë aktet e dosjes dhe se shpenzimet proceduriale mund të paguhen vetëm në fund të procesit.
Ish-ministri po hetohet nën masë sigurie “detyrim paraqitje dhe ndalim i daljes jashtë shtetit” për shpërdorim detyre dhe shkelje e barazisë së pjesmarrësve në tendera apo ankande publike, vepra penale të kryera në bashkëpunim për aferën e “Sterilizimit”.
Ndërsa Beqaj zbaton masën që ka dhënë SPAK, një hetim paralel ka nisur për të, për dyshimet që kanë të bëjnë me fondet e huaja, koordinuar nga SASPAC, Agjencia Shtetërore e Programimit Strategjik dhe Koordinimit të Ndihmës, ku Beqaj ka qenë drejtor. SPAK dyshon se Beqaj ka kryer veprat e shpërdorimit të detyrës dhe korrupsionit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




