Politike

‘Berisha të bëjë një hap pas’, Xhaferaj: Pa votë, shkojmë në vasalitet

Mungesën në mbledhjen e Këshillit Kombëtar në selinë blu ditën kur u miratuan ndryshimet në statut ku e përfshijnë edhe atë në kryesi, Ferdinand Xhaferaj e cilësoi më shumë si çështje angazhimesh sesa një formë për të treguar kundërshtinë e tij për lëvizjet e fundit..

Megjithatë, deputeti demokrat, i ftuar mbrëmjen e së mërkurës në “Debat” në A2CNN  shtroi një sërë problematikash të reja në kampin blu, që siç u shpreh ai, mund të vënë në pikëpyetje “bashkimin në diversitet.”

“Pas 8 janarit, u zhvlerësua mekanizmi i votës. Më 8 janar, dy vite më parë, një pjesë e madhe shkoi të nxirrte me dhunë një pjesë më të vogël... Kanë gjetur një mekanizëm poziciones dhe kjo mua nuk më pëlqen.”

PD e Rithemelimit, pas ndryshimeve të fundit statutore, që u miratuan nga Këshilli Kombëtar ka katër nënkryetarë dhe nëntë anëtarë të rinj të Kryesisë.

Ndryshimet u bënë me propozim të Sali Berishës, nga arresti shtëpiak.

Pa votë dhe pa garë, nënkryetarë u emëruan Gazment Bardhi dhe Agron Gjekmarkaj.

Deputeti Xhaferaj thotë se opozita e ka sot më të nevojshme se kurrë që të krijojë një bazament për të dalë si alternative, duke marrë parasysh afrimin e zgjedhjeve të 2025-ës.

“Si do të implementohen parimet, që ky bashkim të funksionojë vërtet, si bashkim në diversitet, që opozita të krijojë bazamentit për të dalë si alternativë? Ngërçi në këtë rast është që në stadin aktual ku jemi, kjo përpjekje për një bashkim më të fuqishëm opozitar, ka rrezikun të mos funksionojë si bashkim në diversitet, por si nënshtrim në vasalitet,” deklaroi ai.

Kështu, më e mira për opozitën, sipas Xhaferajt do të ishte që kreu i Rithemelimit, Sali Berisha, të bënte një hap pas.

“...nuk e prisnim që protesta të kishte atë pjesëmarrje, por dy gjera; ishte e palogjikshme që Berisha foli një ore e ca minuta ndërsa gjithë të tjerët bashkë 35 minuta. Dhe e dyta, me kë e konsultoi Berisha programin që prezantoi në atë protestë? I ngelem mendimit, bashkim në diversitet do të thotë që asnjë s’më kufizon dot mua nga e drejta ime për t’u shprehur...”

Për Xhaferajn, zgjidhje sot është të bashkohet elektorati i Partisë Demokratike, dhe jo “disa burra.”


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë