Gazeta Si – E veja e liderit opozitar rus, Aleksei Navalni, u ka bërë thirrje rusëve që të protestojnë në ditën e zgjedhjeve kundër presidentit Vladimir Putin në 17 mars, duke formuar radhë të gjata jashtë qendrave të votimit.
Yulia Navalnaya është zouar se do të vazhdojë punën e burrit të saj kundër Kremlinit, pas vdekjes së Navalnyt muajin e kaluar në një burg në Arktik.
Përmes një videoje të publikuar në YouTube, Navalnaya mbështeti nismën që të mbingarkohen qendrat e votimit që mbahen gjatë këtij muaji, zgjedhje të cilat pritet t’i japin edhe një mandat gjashtëvjeçar presidencial Putinit.
“Ne duhet të shkojmë në qendrat e votimit në të njëjtën kohë: më 17 mars në orën 12:00. Çfarë do të bëjmë më pas? Ju mund të zgjidhni. Mund të votoni çdo kandidatë përveç Putinit. Mund ta bëni të pavlefshëm fletëvotimin tuaj. Mund të shkruani me shkronja të mëdha ‘Navalny’”, tha Yulia Navalnaya.
17 марта. Полдень. За Навального. pic.twitter.com/9fxFxt0NOY
— Yulia Navalnaya (@yulia_navalnaya) March 6, 2024
Ajo i cilësoi zgjedhjet presidenciale, që do të mbahen nga 15 deri më 17 mars, si “farsë” dhe tha se Putini “do të nxjerrë rezultatin që ai do”.
Sipas Navalnayas, në këtë mënyrë, “Putini nuk do të konsiderohet një president legjitim, as për ne dhe as për botën”.
“Aleksei ëndërronte për një të ardhme të mrekullueshme për Rusinë”, thotë Navalnaya, e cila synon të vazhdojë misionin e të shoqit, ndërsa “ata në Kremlin kanë një kult të së shkuarës: luftë, raketa dhe vrasje”.
Putin, argumenton gruaja e kundërshtarit rus që vdiq në burg më 16 shkurt, “do të marrë rezultatin që dëshiron”, por “zgjedhjet mund të përdoren kundër tij” dhe “Aleksei kishte kohë të na tregonte si ta bënim”.
Navalnaya shtoi gjithashtu se kjo nismë “do të na ndihmojë të kuptojmë se ka shumë njerëz” që nuk mbështesin Kremlinin, se “ka njerëz rreth nesh që janë gjithashtu kundër luftës, korrupsionit dhe pabarazisë”.
Ftesa e Bidenit dhe refuzimi i Navalnayas (dhe Zelenskas)
Ndërkohë, siç raporton “Washington Post”, Navalnaya refuzoi ftesën e marrë nga presidenti amerikan Joe Biden për të marrë pjesë në fjalimin e radhës për Gjendjen e Bashkimit.
Zëdhënësja e saj përmendi lodhjen si arsye: “Julia ishte e ftuar dhe mendoi të shkonte, por mendoj se të gjithë harrojnë rrethanat në të cilat ndodhën ngjarjet”, tha ajo.
“Burri i Julias vdiq dy javë më parë. Ajo ka qenë në rrugë gjatë gjithë kësaj kohe. Sot është dita e parë që ajo kthehet në shtëpi. Ashtu si çdo qenie njerëzore, asaj i duhet kohë për t’u rikuperuar dhe prandaj, ndërsa e vlerëson shumë ftesën, duhet të rikuperohet të paktën pak tani”.
Edhe Zonja e Parë ukrainase, Olena Zelenska, gjithashtu refuzoi ftesën e Biden dhe sipas “Washington Post”, ajo mund të ketë qenë e lidhur me shqetësimin e shkaktuar nga prania e mundshme e Navalnaya.
Në Ukrainë, trashëgimia e Navalnit është njollosur nga deklaratat e tij në të kaluarën se Krimea, e aneksuar nga Putin në 2014, i përket Rusisë.
Sipas gazetës amerikane, Biden donte që dy gratë të uleshin pranë njëra-tjetrës në sallën e Kongresit: të dyja janë simbol i rezistencës ndaj Vladimir Putinit.
Një zëdhënës i Shtëpisë së Bardhë shpjegoi se tërheqja e Zelenskas ishte për shkak të “problemeve me agjendën”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




