Fishekzjarrët apo kapsollat janë kthyer në një problem tejet shqetësues në Shqipëri veçanërisht në kohën e festave të fundvitit. Jo rrallë herë gjatë ndërrimit të viteve nga shpërthimet e kapsollave apo dhe fishekzjarrëve në çdo cep të Shqipërisë janë shoqëruar me të plagosur.
Shitja e pakontrolluar dhe fakti që pranohet se ato në shumicën e rasteve hyjnë kontrabandë, ka detyruar qeverinë “Rama” të dalë me propozime të kundërta, njëra që të bllokojë importimin dhe shitja dhe tjetra që të heqë akcizën e këtyre mallrave.
Kuvendi të hënën pritet të votojë në seancë paketën fiskale dhe buxhetin e ri të shtetit. Në
Paketën Fiskale sa i përket p/ligjit “Për akcizat në Republikën e Shqipërisë”, qeveria ka propozuar heqjen e akcizës për mallrat e fishekzjarrëve.
Në këtë paketë propozohet nga qeveria heqja nga lista e mallrave të akcizës fishekzjarrët, llambat dhe pilat/bateritë në Kategoritë F000, A100 dhe Y100.
Duke nisur nga viti 2012, fishekzjarrët, llambat dhe pilat/bateritë janë trajtuar si mall akcize, respektivisht në masën 200 lekë/kg dhe 100 lekë copa. Por aktualisht qeveria e sheh si të panevojshme një aplikim të tillë.

“Nga pikëpamja doganore, importuesit paguajnë akcizën në momentin e importimit dhe nuk kanë më procedurë tjetër mbikëqyrjeje, pra nuk jepen autorizime për këto produkte. Menaxhimi i produkteve të tilla është i vështirë sepse, për shkak të specifikave, ato janë lehtësisht të transportueshme dhe, për arsye të ngarkesës fiskale me akcizë, rritet interesi i operatorëve për kontrabandë. Heqja e këtyre produkteve nga lista e mallrave të akcizës do të ndihmojë në uljen e interesit të operatorëve për të kryer kontrabandë, me qëllimin që të deklarojnë sasinë reale. Në këtë mënyrë do të arkëtohen më shumë të ardhura në TVSH dhe taksë doganore. Efekti në të ardhurat nga akciza parashikohet të jetë minus 40 milionë lekë, por ka një pritshmëri të rritjes së sasive të deklarimeve për këto produkte, duke sjellë kështu rritje të të ardhurave nga TVSH-ja dhe taksat doganore”, argumentohet në relacionin e qeverisë.
Ky propozim i Qeverisë bie në kundërshtim me nismën e shpallur disa ditë më parë nga ministria e Brendshme e zbuloi vendimin e ri për ndalimin e shitjes apo të importit të kapsollave dhe fishekzjarrëve, të cilësuara si mjete piroteknike. Një masë e tillë u shpall pas plagosjes së polices Ina Nuka si pasojë e një shpërthimi të ndodhur nga kapsolla në dorë, duke i dëmtuar dy gishtat gjatë protestës së banorëve të Astirit më 22 nëntor përpara Parlamentit, të cilët janë kundër prishjes së banesave që parashikohen të ndërmerren për shkak të ndërtimit të Unazës së Re.
Më 27 nëntor, zv/ministrja e Brendshme, Romina Kuko do të deklaronte “Ministria e u kërkon të gjitha subjekteve tregtare që të ndërpresin importin, magazinimin dhe tregtimin e të gjitha lëndëve plasëse, mjeteve shpërthyese dhe piroteknike me efekt të tillë, të cilat i drejtohen tregut të gjerë. Nxisim të ndërpritet menjëherë tregtimi dhe të dorëzojnë produktin me këtë përmbajtje, duke lajmëruar sa më parë Komisariatin pranë. Kushdo që do të kapet me këtë produkt apo do të disponojë individualisht të tilla lëndë do të ndalohet e ndëshkohet”.
Gjithashtu bëhej e ditur se qeveria shqiptare do të rishikojë kriteret dhe standardet e licencimit të subjekteve që importojnë, magazinojnë apo tregtojnë lëndë të rrezikshme. Policia e Shtetit dhe agjencitë e tjera shtetërore do të intensifikojnë kontrollet dhe do të marrin të gjitha masat e nevojshme për të eliminuar rrezikun për sigurinë publike që buron nga përdorimi i mjeteve të rrezikshme.
Pikërisht këto qëndrime të kundërta flasin për përplasje brenda qeverisë, ose një mos koordinim i strukturave ministrore të Financave që propozon buxhetin dhe paketën fiskale me ministrinë e Brendshme.

Por ky propozim në paketën fiskale, duket se po has kontestim edhe brenda mazhorancës. Komisioni i Ekonomisë e ka pranuar propozimin e qeverisë, ndërsa komisioni parlamentar i Veprimtarisë Prodhuese ka dalë kundër kësaj ideje duke kërkuar që të rishikohet masa për heqjen e akcizës së fishekzjarrëve.
Në relacionin e Komisionit të Veprimtarisë Prodhuese, theksohet se anëtarët e komisionit diskutuan edhe mbi rrezikshmërinë që paraqesin fishekzjarrët dhe ndotjen që shkakton në mjedis përdorimi i tyre dhe për këtë qëllim propozuan që të mos hiqet akciza për këtë produkt.

“Për shkak të rrezikshmërisë që paraqesin fishekzjarrët dhe ndotjes që shkakton në mjedis
përdorimi i tyre, anëtarët e komisionit mbështetën propozimin që të mos hiqet akciza për këtë
produkt. Në përfundim të shqyrtimit, Komisioni vendosi t’i paraqesë Komisionit për Ekonominë dhe Financat propozimet si më poshtë: Në shtojcën nr. 1, që shoqëron projektligjin,të bëhen këto ndryshime: 1. Për produktin zhavorr bituminoz, me kodin NK 27 14 90 00, shkalla e taksimit të bëhet 0,4 lekë/kg. 2. Të shtohen fishekzjarrët në listën e mallrave të akcizës, në Kategorinë F000”, thuhet në relacionin e firmosur nga kryekomisioneri Eduard Shalsi dhe relatori, deputeti i PS-së, Ilir Beqaj.
Gjithsesi, këto propozime mbeten të hapura për t’u diskutuar në fazën e shqyrtimit nen për nen të projektligjit në seancën e së hënës, nëse qeveria është me variantin e parë të bllokimit të importit apo do të ulë akcizën mallrave piroteknike.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




