Nga Gazeta ‘SI’ - Ministria e Financave është tërhequr nga ideja e ‘formalizmit’ të turizmit, duke hequr detyrimin e regjistrimit në QKB banesat që jepen me qira afatshkurtër.
Fillimisht qeveria prezantoi idenë se çdo kush që krijonte të ardhura nga qiradhënia e një dhome, apartamenti apo vile për turistët, me anë të AirBnB dhe Booking, të regjistrohet në QKB. Por kjo u hodh poshtë në komisionin e Veprimtarive Prodhuese dhe Tregtisë nga zv.ministrja e Financave Vasilika Vjero, e cila tregoi se drafti ka ndryshuar përsëri.
LEXO EDHE:
- Kush jep banesa me qira në Booking në Shqipëri do të ngarkohet me TVSH
- Pr.ligji i ri për turizmin/ Kush jep apartament me qira duhet të regjistrohet në QKB. Në të kundërt merr gjobë
- Tatimet: 20% TVSH-ja për banesat në Booking. Do të ketë përfaqësi në Shqipëri
Gjithsesi këto të ardhura do të taksohen dhe do të deklarohen njëherë në vit nëpërmjet DIVA-s, deklaratës së të ardhurave personale, por subjektet nuk kanë pse të pajisen me NIPT dhe barrë fiskale.
“Individi qiradhënës për kategoritë, dhomë, apartament apo vilë përpara ushtrimit të aktivitetit paraqet pranë ministrisë së Turizmit kërkesën për certifikatë kategorizimi sipas kritereve të përcaktuara. Ne e gjejmë pak të shpejtë regjistrimin e këtyre kategorive si një biznes. Ne kemi shumë individë që japin ambientet e tyre si dhomë, vilë apo apartament me qira dhe nuk i japin me qëllime turizmi gjithë kohës dhe për një periudhë të caktuar i japin me qira. Propozimi i Ministrisë së Financave vetëm për ata individë që kanë një apartament, kanë një vilë, apo një dhomë dhe e japin me qira për qëllime turistike, të mos regjistrohen në QKB si biznes, por ti japi apartamentet me qira në periudha të caktuara, të paguaj detyrimet tatimore nga këto të ardhura një herë në vit nëpërmjet deklaratës të të ardhurave personale, pa qenë nevoja të pajiset me një NIPT dhe të marrë ngarkesa të tjera fiskale siç mund të jetë pagesa e kontributeve apo edhe të tjera detyrime që i shtohen nga pushteti vendor. Pra për këtë kategori të bëhet ky lehtësim”, sqaroi zëvendësministrja Vjero.
Detyrimin për t’u regjistruar në QKB do ta kenë pronarët e një blloku apartamentesh, struktura akomoduese të trashëgimisë kulturore dhe “hoteli i shpërndarë” i cili është i përbërë nga shtëpi, apartamente ose dhoma të vendosura në ndërtesa të veçanta, të menaxhuara nga i njëjti sipërmarrës turistik. Ata do të pajisen me një certifikatë kategorizimi në ministrinë e Turizmit, sipas standardeve, hapësirës etj.
Në rast se aktiviteti ndodh pa certifikatë, subjektet gjobiten me 20-50 mijë lekë.
Zëvendësministrja e Turizmit Vilma Bello tregoi se ministria parashikon ngritjen e një sistemi të dhënash, që lidhen me këtë sektor.
“Ministria Përgjegjëse për turizmin do të ngrejë një sistemi për të dhëna për turizmin dhe është përgjegjëse për t’i menaxhuar. Të dhënat do mblidhen nga institucionet publike qendrore dhe vendore, nga strukturat akomoduese për numrin e vizitorëve, numrin e netëve të qëndrimit, shtetësinë, rezidencën, gjininë dhe moshën, nga operatorët turistikë dhe agjencitë e udhëtimit për numrin total të vizitorëve për turizmin pritës dhe turizmin në dalje, shtetësinë dhe destinacionin”, tha zëvendësministrja Bello.
Subjektet që nuk raportojnë numrin e vizitorëve, të netëve të qëndrimit, shtetësinë e tyre, rezidencën, gjininë dhe moshën gjobiten me 100 mijë lekë. Fillimisht ishte 150 mijë lekë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.