Drejtësia

GJKKO vendos: Fredi Beleri dënohet me 2 vite burg. Avokati: Vendim politik me porosi të Ramës

Gazeta Si- Pas një seance dhe tërheqjes së trupit gjykues për vendim që zgjati dy orë e gjysmë, GJKKO ka dënuar me 2 vite burg kryebashkiakun e zgjedhur të Himarës Fredi Beleri për korrupsion në zgjedhje.

Ndërkohë Pandeli Kokaveshi u  dënua me 1 vit e 6 muaj burgim, por për shkak të gjendjes së tij shëndetësore u vendos 3 vite shërbim prove. Trupa gjykuese që dha vendimin përbëhej nga gjykatësit Erjon Çela, Irena Gjoka dhe Flora Hajredinaj.

Avokati i Fredi Belerit, Geni Gjyzari deklaroi para ambienteve të SPAK se vendimi i sapo marrë nga Gjykata është politik dhe me “porosi të kryeministrit Rama”.

Geni Gjyzari, avokati i Fredi Belerit

Ai theksoi se gjatë gjithë seancës kryetari ishte në tension dhe i ndërpreu fjalën kryebashkiakut të Himarës. Sipas Gjyzarit, është e padëgjuar që t’i hiqet e drejta e fjalës të pandehurit.

“Ju e dëgjuat deklaratën e zotit Beleri, diskutimin përfundimtar, nëse shihni një moment sulm si e artikuloj kryetari i seancës, e ndërpreu diskutimin e tij për të transmetuar tensionin jashtë procesit, e solli në proces. Nuk na la të dyshonim që do dënohej me dy vjet, tensioni që rrezatohej gjatë gjithë seancës. E padëgjuar të ndërpritet fjala e të pandehurit, është vendim e dënim politik. Siç e porositi kryeministri, ashtu veproi dhe kjo gjykatë". Avokati e përfundoi prononcimin e tij duke thënë se vendimi do të ankimohet

Para seancës, në ambientet e GJKKO-së, mbërriti avokati i Belerit i shoqëruar edhe nga disa mbështetës. Në gjykatë ka qenë edhe kryetari i PBDNJ-së, Vangjel Dule, i cili ka shoqëruar të gjitha seancat gjyqësore të Belerit në mbështetje të kreut të zgjedhur të Bashkisë së Himarës. I pranishëm ka qenë edhe një përfaqësues i ambasadës greke në Tiranë.

Pretenca e SPAK-ut

Në 13 shkurt, Prokuroria e Posaçme kërkoi dënimin e Fredi Belerit me 2 vite e 6 muaj burg për akuzën e korrupsionit zgjedhor.

SPAK pretendoi se me anë të përgjimeve dhe vëzhgimeve ambientale të kryera ndaj Belerit dhe bashkëpunëtorëve të tij para zgjedhjeve të 14 Majit, si dhe dëshmisë së një personi që zgjodhi të bashkëpunonte me drejtësinë, ka konfirmuar se Beleri dhe shtabi i tij elektoral kanë dhënë para gjatë fushatës elektorale për të siguruar vota.

Nga ana tjetër avokatët e Belerit i konsideruan përgjimet e kryera fillimisht nga Prokuroria e Vlorës si të paligjshme, duke bërë nul të gjitha provat e grumbulluara me anë të këtyre përgjimeve.

Ata po ashtu pretenduan se edhe këqyrja e bërë telefonave që iu sekuestruan të pandehurve në këtë proces, është bërë në mënyrë të paligjshme, duke kërkuar kështu që këto prova të mos merren të mirëqena dhe duke kërkuar pafajësi.

Çfarë ndodhi në seancën e sotme

Gjatë seancës gjyqësore pati tensione mes kryesuesit të seancës, Erjon Çela, avokatit Geni Gjyzari dhe Fredi Belerit. Gjyqtari Çela i kërkoi Belerit të ndërpresë akuzat dhe sulmet politike në drejtim të trupës gjykuese, por të qëndrojë tek çështja penale që e akuzon SPAK, të ngrejë pretendimet e tij mbi faktet dhe provat për çështjen në fjalw.

Kjo ka sjellë acarimin mes gjyqtarit dhe avokatit Gjyzari, i cili kërkoi të respektohet dhe të mos ndërpritet Beleri në fjalën e tij, por t’i jepet e drejta për të shpjeguar të mbrojtjen e tij.

Gjatë fjalës së tij, Beleri relatoi një sërë pretendimesh duke theksuar se mbahej në burg padrejtësisht sepse sipas tij edhe kryebashkiakë të tjerë që akuzohen për të njëjtën vepër penale janë duke u hetuar në gjendje të lirë nga SPAK.

Ai pretendoi se është cenuar parimi i një procesi të rregullt gjyqësor, prezumimi i pafajësisë dhe po ashtu, po diskriminohet. Beleri i kërkoi trupës gjykuese të jetë e ndarë nga politika.

“Unë kërkoj drejtësi, më është cenuar e drejta për një proces të rregullt ligjor”, mësohet të ketë thënë Beleri, sipas të cilit i është cenuar prezumimi i pafajësisë.

“Prokuroria ka sajuar prova për të fshehur gabimet e policisë. Nga vëzhgimi 24 orësh që më është bërë, ka rezultuar se nuk jam takuar asnjëherë me dëshmitarin e prokurorisë. Të gjitha të vërtetat do të dalin në dritë. Keni shkelur parimin e prezumimit të pafajësisë, të procesit të rregullt ligjor dhe të barazisë para ligjit. Vendimi për dënimin tim është marrë në Drejtorinë e Policisë, ku është bërë plan për arrestimin tim, por plani u prish nga votuesit e Himarës. Vendim politik ishte edhe moslejimi im për të votuar. Kërkesa e SPAK për dënimin tim me  2 vjet e 6 muaj burg është diskriminues. Të tjerë kryetarë bashkish të gjykuar për të njëjtën akuzë janë në shërbim prove, ose ende në detyrë. Unë nuk e gjej veten fajtor për asnjë akuzë dhe e vërteta do të dalë herët a vonë”, tha ai.

Arrestimi i Fredi Belerit

Fredi Beleri, kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë” për zgjedhjet vendore të 2023-shit në Himarë, u arrestua më 12 maj, 2 ditë para se të mbaheshin votimet.

Arrestimi u krye pas dyshimeve për kryerjen e veprës penale të korrupsionit aktiv në zgjedhje kryer në bashkëpunim.

Sipas policisë, Beleri është kapur në flagrancë në Himarë më datë 12.05.2023 ora 00:14 minuta, në bashkëpunim me persona të tjerë, duke premtuar dhe dhënë shuma monetare personave të ndryshëm me qëllim blerjen e votës.

Pas vënies në pranga të tij, ka pasur reagime nga Athina zyrtare. Çështja ndaj Belerit dhe insistimi i Greqisë që ai të lejohej të betohej si kryebashkiak i zgjedhur i Himarës, që nuk u pranua nga gjykata, shkaktoi bllokime për Shqipërinë për çeljen e kapitujve në Bruksel.

Ndërkohë, pala shqiptare është shprehur se Beleri po gjykohet nga drejtësia e pavarur shqiptare dhe qeveria Rama do të ruajë distancën duke mos ndërhyrë në këtë çështje.

Kush është Fredi Beleri

Fredi Beleri ka lindur në Himarë në vitin 1972. Ai është i martuar dhe ka dy fëmijë. Në jetëshkrimin e tij, Beleri thotë se në Greqi ka pasur një biznes hidraulikesh për 20 vjet, ndërsa sot aktivizohet në fushën e turizmit në Himarë.

Aktivitetin politik thotë se e ka nisur në vitin 1992 kur u zgjodh si anëtar i Këshillit Drejtues të Shoqatës së Himariotëve, shoqatë ku më pas ka mbajtur edhe rolin e Sekretarit të Përgjithshëm dhe kryetarit. Që prej vitit 2009 ai është anëtar i Këshillit të Përgjithshëm të Omonias.

Por Beleri ka edhe një histori të gjatë me drejtësinë në Shqipëri. Ai është dënuar për nxitje dhe urrejtje nacionale dhe është hetuar si i përfshirë në “Masakrën e Peshkëpisë”.

Beleri kishte tentuar edhe më herët që të garonte për Bashkinë e Himarës, më 2015-ën, por nuk e arriti të fitonte duke kandiduar nën siglën e PBDNJ-së. Në 2023-shin, ai u konfirmua si kandidat i opozitës për Himarën pas marrëveshjes Berisha-Dule.

Sa i përket dënimit, Beleri rezulton se në vitin 2003 nga Gjykata e Vlorës ka marrë 3 vite burg për nxitje dhe urrejtje nacionale.

Sa i përket “Masakrës së Peshkëpisë”, dosja është rihapur disa herë, por pa sukses. Më së fundmi ajo u rihap në vitin 2019 nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, por u pushua më pas nga SPAK.

Masakra e Peshkëpisë ndodhi më 10 Prill 1996, ku posta kufitare e Peshkëpisë në Gjirokastër u sulmua nga disa agresorë grekë duke vrarë ushtarin Arsen Gjini dhe komandatin Fatmir Shehu, duke plagosur efektivë të tjerë dhe në fund grabitën armatimet në tërheqje e sipër.

Akuzat ndaj gjyqtares Irena Gjoka

Gjyqtarja e çështjes, Irena Gjoka, është vënë vazhdimisht në qendër të sulmeve nga ish-kryeministrin Sali Berisha dhe së fundi ishte në shënjestër edhe nga mediat greke, teksa Greqia e quan të paligjshëm moslejimin e Belerit për t’u betuar.

Disa portale kanë shkruar se gjyqtarja Gjoka ka qenë dikur në Greqi me letra të parregullta. Një portal madje e ka cilësuar Gjokën, si vegël të qeverisë shqiptare.

Beleri, i cili garonte nën siglën e koalicionit “Bashkë Fitojmë”, u arrestua dy ditë para zgjedhjeve lokale të 14 majit, pasi u kap në flagrancë duke blerë votat.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë