Nga Gazeta 'Si' - Prej disa ditësh, në sportelet e postës në Tiranë nuk po shpërndahen pagesat e invaliditetit dhe pagesat e ndihmës ekonomike. Ndryshe nga muajt e tjerë, kur në fund të muajit shpërndahen fondet e dedikuara për grupet vulnerabël, njësitë vendore nuk kanë dërguar në postë pagesat duke lënë në pritje qindra persona përfitues në kryeqytet.
Në zyrën postare në zonën e Brrylit, prej 3 ditësh qëndrojnë deri në mesditë qindra qytetarë, duke shpresuar të marrin pensionet e invaliditetit apo pagesat e ndihmës ekonomike.
Por muaji shkurt po mbyllet dhe ata, edhe sot nuk kanë marrë asgjë.
‘Pyetëm në sportelin e postës dhe ata thonë që nuk kanë asnjë informacion se kur njësitë bashkiake do të sjellin listat dhe fondet e dedikuara nga buxheti i shtetit. Ne jemi familje me të ardhura të pakta, kemi nevojë për këto para, ka një indiferencë totale të shtetit’, thonë disa qytetarë.
Nuk është hera e parë që në Tiranë ka vonesa në shpërndarjen e pagesave të invaliditetit dhe ndihmës ekonomike. Teksa posta ja hedh fajin njësive bashkiake, ata që vuajnë pingpongun janë qytetarët, të cilët kërkojnë të drejtën e tyre.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.