Politike

Prodhim municionesh për Ukrainën në rajon? Rama: Të gjithë i thamë po Zelenskyt, por së pari ta fillojmë për veten   

Kryeministri Edi Rama tha se i ka dhënë një përgjigje pozitive Presidentit të Ukrainës, Volodymyr Zelensky kur ky i fundit tregoi interes për bashkëprodhimin e municioneve me vendet e rajonit.

“Sa i takon industrisë ushtarake dhe prodhimit të armëve, ne, Serbia, Bosnja, apo Kroacia nuk kemi një industri prodhuese të mjeteve ushtarake. Duam ta kemi së pari për veten tonë. Kemi punuar dhe po punojmë që të gjejmë marrëveshjen e duhur, partnerët e duhur, të ringjallim infrastrukturën tonë të vjetër”, tha fillimisht kryeministri, për të kaluar më pas tek propozimi konkret.

"Propozimi i Zelenskyt nuk ka asgjë të jashtëzakonshme, Zelensky na foli për mundësinë e bashkëpunimit që do të thotë investimi, prodhimi dhe bashkëpunimi. Të gjithë thanë po, jo vetëm Shqipëria. Ky është një proces, e dimë që duhet të investojmë më shumë në mbrojtje si çdo kush tjetër dhe gjitha që mund të bëjmë në këtë drejtim do ta bëjmë. Do ta bëjmë këtë me aleatët tanë dhe jo me të tjerët”, tha Rama

Çfarë tha konkretisht presidenti Volodymyr Zelensky në samitin për Ukrainën në Tiranë?

"Kemi 500 kompani në fushën e mbrojtjes që operojnë në Ukrainë në fusha të ndryshme. Por nuk mjafton kjo të fitojmë mbi Putinin. Ne shikojmë probleme edhe në ofertën për sa i përket municioneve të cilat ndikojnë kapacitetin tonë në fushat e betejës dhe prandaj jemi të interesuar në bashkëprodhimin e municioneve bashkë me ju dhe me partnerët tanë. Ekipi ynë i qeverisë sonë do të prezantojë të gjitha detajet. Ne propozojmë që të organizohet një forum i posaçëm për sigurinë e mbrojtjes mes Ukrainës dhe Ballkanit qoftë në Kiev apo një nga kryeqytetet tuaja"  tha Zelensky.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë