Gazeta Si – Zyrtarizohet bashkëpunimi shumëvjeçar mes turneut të meshkujve në tenisin botëror dhe PIF (Public Investment Fund) të Arabisë Saudite. Akordi është bërë i ditur me një komunikatë të përbashkët.
Ky bashkëpunim, sipas komunikatës, ka lindur për “të përmirësuar tenisin botëror për lojtarët, tifoziët, organizatorët e turneve dhe palët e interesuara në të gjitha nivelet e këtij sporti”.
Praktikisht, për momentin PIF do të sponsorizojë eventet e Atp Tour në Indian Uells, Majemi, Madrid dhe Pekin, përveç ‘Next Gen Atp Finals’, që do të zhvillohet në Geda deri në 2027-ën. Klasifikimi ATP do të marrë zyrtarisht emrin PIF ATP Rankings.
Në fund të sezonit, në Finals të Torinos, i pari në renditje do të kurorëzohet ‘Year-End No.1, presented by PIF’. Masimo Kalveli, ceo i ATP, ka deklaruar: “Bashkëpunimi ynë strategjik shënon një moment të rëndësishëm për tenisin. Është një impenjim për të promovuar të ardhmen e këtij sporti. Me dedikimin e PIF për gjeneratat e reja, duke promovuar inovacionin dhe duke krijuar mundësi për të gjithë, skena është gati për një periudhë të re progresi dhe transformimi”.
Pas futbollit dhe golfit, fondi saudit hyn edhe në tenis, duke investuar miliona dollarë. Në tetor, në një datë dhe format ende të papërcaktuar, është programuar një maksiekzibicion, ku do të marrin pjesë Janik Siner, Karlos Alkaraz, Novak Gjokoviç, Rafael Nadal, Danil Medvedev dhe Holger Rune.
Shpërblimi do të shkojë deri në 6 milionë dollarë për fitoren. Nadal ka firmosur tashmë një akord për të qenë ambasador i tenisit saudit, duke specifikuar se nuk bëhet fjalë për para. Së shpejti edhe Karlos Alkaraz do të firmosë një akord me Arabinë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.