Politike

Rama: S’mund ta lëmë Rusinë të fitojë. Zelensky: Duam të bashkëprodhojmë municione me ju

Presidenti Volodymyr Zelensky, në fjalën e tij në Samitin e zhvilluar në Tiranë, u shpreh se Ukraina mbështet integrimin e vendeve të Ballkanit në BE dhe propozoi një forum të posaçëm mes Ukrainës dhe vendeve të Ballkanit.

"Është hera e dytë që takohemi në një format të tillë. Kryeministër e vlerësoj së tepërmi mikëpritjen tuaj dhe mundësinë për të diskutuar së bashku për të forcuar vendet tona, rajonin dhe Europën. Tani po përcaktohet rrugëtimi që do ndjek Europa në breza të ardhshëm.

Tani Putin dëshiron të detyrojë kombet e tjera të bëjnë ashtu siç do ai, diktatet e vjetra të vendosin se çfarë bëjnë kombet e tjera. Prandaj është e rëndësishme për ne që Putini të humbasë. Parimi ynë bazohet tek dinjiteti. Nuk mund të ketë Europë me dinjitete të ndryshme.

Presidenti i Ukraines, Volodymyr Zelensky duke folur ne Samitin e Tiranes

Së pari mendojmë që çdo shtet dhe komb në Europë që i ruan parimet meriton integrimin e plotë. Ukraina mbështet integrimin tuaj në BE dhe jemi mirënjohës për integrimin tonë. Ne të gjithë meritojmë të jemi pjesë e komunitetit europian dhe euroatlantik. I jam mirënjohës të gjithë mbështetësve. Çdo aspekt i luftës ruse mund të zgjidhet me anë të pikave që janë përcaktuar në këtë formulë. Çdo shtet mund ta tregojë veten në këtë proces paqeje. Ne duam që e drejta ndërkombëtare në procese vërtetë shumëpalëshe dhe barazia e kombeve. Ju ftoj të gjithë të merrni në samitin e parë global të paqes që do mbahet në Zvicër. Së dyti gjatë kësaj lufte kemi bërë të mundur që mund ti bëjmë ballë një armiku të tillë. Të gërshetojmë përpjekjet tona”, tha Zelensky. Ai u ndal me pas tek problematika konkrete.

“Ne shikojmë probleme në ofertën sa i takon municioneve. Jemi të interesuar për bashkëprodhimin e municioneve me ju e partnerët tanë. Ekipi ynë do të prezantojë të gjithë detajet. Propozojmë të organizohet forum i posacëm për industrinë e mbrojtjes mes Ukrainës dhe Ballkanit qoftë në Kiev apo në një vend të Ballkanit", tha Zelensky.

Kryeministri Edi Rama nga ana e tij iu bëri thirrje të pranishmeve që të tregojnë solidaritet me popullin ukrainas që ndodhet në luftë prej më shumë se dy vitesh.

Rama tha se kombet e vogla nuk duhet të kthehen ushqim për Rusinë.

“Shqipëria ka bërë sa mundet dhe do vazhdojë të bëjë edhe më tej. Deklarata e përbashkët që nënshkruam sot, vendosmërinë për të qëndruar pranë Ukrainës, tregojnë shumë.  Së fundmi për shumë ato kombe të vogla, si ne që nuk duhen të kthehen ushqim për rolin imperialist të Rusisë, kemi nevojë për qartësi absolute rreth Ukrainës, solidaritet të palëkundur me Ukrainën. Slava Ukraini’, rroftë Ukraina!”, tha Rama.

"Putin donte ta fshinte nga harta Ukrainën por ajo sot është më shumë e ankoruar në Europë. Duam të përsërisim thirrjen të ndalet lufta" tha Rama duke bërë thirrje shteteve të fuqishme aleate të NATO-s të vijojnë mbështetjen financiare dhe ushtarake ndaj Ukrainës.

“S'duhet të lëmë Rusinë të fitojë e Ukrainën të humbasë! Mbijetesa e saj varet nga mbështetja financiare e ushtarake" tha Rama.

Në samitin e Tiranës “Ukrainë-Europa Juglindore”, ishte i pranishëm edhe  Alex Soros, djali i filantropit George Soros.

Soros është parë i pranishëm në samit, i ulur pas kryeministrit Edi Rama dhe ministrit të Brendshëm Taulant Balla.

Kujtojmë se miliarderi dhe filantropi George Soros, ia ka dhënë kontrollin e kompanisë së tij me vlerë prej 25 miliardë dollarësh djalit të tij më të vogël, Alex Soros.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë