Politike

Samiti për Ukrainën, kërkesa e Vjosa Osmanit për Zelenskyn

Në Pallatin e Kongreseve u mbajt samiti Ukrainë – Europa Juglindore”. Dy bashkëorganizatorët, kryeministri Edi Rama dhe presidenti Volodymyr Zelensky pritën liderët  pjesëmarrës nga Europa  Juglindore dhe Ballkani Perëndimor në samitin që ka si qëllim solidaritetin dhe angazhimin eë mëtejshëm të demokracive të vendeve kundër agresionit rus.

Në samit do të diskutohet, se si mund të ofrohet mbështetja për Ukrainën, si dhe të kontribuojnë në sigurinë dhe stabilitetin e rajonit tonë dhe Evropës. Ndërkohë kanë mbërritur liderët e Ballkanit Perëndimor nga Presidentja e Kosovës e deri tek Presidenti i Serbisë.   

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani ka konfirmuar mbështetjen e saj ndaj Ukrainës, teksa foli me gazetarët para fillimit të samitit Ukrainë –Evropa Juglindore.

E pyetur nëse do i kërkojë presidentit Zelensky njohjen e Kosovës, ajo tha që këto çështje diskutohen në takime bilateral.

“Ne e kemi bërë një kërkesë të tillë dhe do vazhdojmë ta bëjmë me mirëkuptimin e plotë që Ukraina është në gjendje lufte, duke luftuar për lirinë e saj dhe për vlerat që janë aq të rëndësishme për secilin prej nesh. Jam e bindur që ai moment do të vijë bashkë me fitoren e Ukrainës”,  tha Osmani.

Për herë të parë, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ndodhet në Shqipëri. Vizitën e tij në Tiranë nisi me një takim me kryeministrin shqiptar Edi Rama, ku më pas u firmos traktati  i Miqësisë dhe Bashkëpunimit mes dy shteteve.

Presidenti Zelensky i akordoi Ramës dekoratën e lartë ukrainase, 'Jaroslav i Urti' ndërsa kryeministri shqiptar i dhuroi një kopje të librit të tij me skica, si edhe një skicë të personalizuar për Zelenskyn, në një kuti të drunjtë me inicialet e tij.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë